Gjilan: Vdes një qytetar i prekur me COVID-19  

Komuna e Gjilanit ka njoftuar se edhe një qytetar nga kjo komunë, ka vdekur sot në Klinikën Infektive në Prishtinë pasi ishte prekur nga COVID-19.

Sipas njoftimit, Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri e ka konfirmuar rastin e vdekjes së qytetarit të katërt nga kjo sëmundje infektive dhe i ka shprehur ngushëllime familjes duke e garantuar se gjithmonë do të jenë pranë tyre.

“Fatkeqësisht në përballjen me pandeminë globale Covid-19, sot nga jeta është ndarë edhe qytetari i Gjilanit, i katërti në këtë pandemi, I. M. Nga njoftimi që kemi marrë prej Qendrës Klinike Infektive në Prishtinë, sot ishte një lajm i vështirë për të gjithë ne. Ngushëllojmë familjen dhe garantojmë se do të jemi pranë tyre në këto ditë të vështira, sepse nuk e kanë të lehtë ballafaqimin me këtë ndarje nga më i dashuri i tyre. Ceremonia e varrimit do të organizohet nga Komuna e Gjilanit në kushte pandemie”, citohet të ketë thënë Haziri.

Haziri poashtu ka apeluar të gjithë qytetarët, bizneset dhe institucionet që në asnjë moment mos ta neglizhojnë këtë virus.

“Apeloj te të gjithë qytetarët ti respektojnë masat mbrojtëse sipas rekomandimeve të profesionistëve, maskat, dorezat, distanca, sepse janë baza e të jetuarit në përditshmërinë tonë. Nuk duhet shmangur këto rekomandime sepse ky virus është një kërcenim i shëndetit publik. Mos jep shërbim dhe mos u shërbe askund, nëse nuk përdoren masat mbrojtëse. Kujdes maksimal për të gjithë kudo që jeni”, ka theksuar Haziri.

Sipas njoftimit të Komunës së Gjilanit deri më tani në përballjen prej 111 ditëve me pandeminë globale Covid-19, 170 qytetarë kanë rezultuar pozitiv në Komunën e Gjilanit, prej tyre 109 janë shëruar plotësisht, 58 raste janë aktive dhe 4 qytetarë janë ndarë nga jeta.