Gjilan, vazhdon kriza me mungesën e ujit

Kompania Rajonale e Ujësjellsit ‘Hidromorava’ ka bërë apel tek qytetarët në regjonin e Anamoravës, për kursimin e ujit, për shkak të mungesës së reshjeve të shiut.

Në një komunikatë për media, kryeshefi i këtij Ujësjellësi, Muhamed Suliqi, ka thënë se niveli në akumulacionin e Përlepnicës ka rënë nën 10 metra, nga kuota maksimale që është  30 metra.

Sipas komunikatës, mungesa e reshjeve të shiut dhe thatësira e madhe në vend, ka bërë që burimet e ujit të pakësohen në mënyrë drastike.

“Sasia e mbetur e ujit në akumulacion përveç se është në sasi të vogël, është vështirë e trajtueshme, mirëpo falë ekipeve profesionale dhe tekonologjisë, uji që shpërndahet në rrjetin publik të ujësjellsit duke iu referuar rezultateve interne të kompanisë dhe analizave fiziko-kimike të IRSHP, tregojnë se ujë përmbushë standardet sipas udhëzimit administrativ për konsum të ujit”, thuhet në komunikatë.

Gjithashtu në këtë komunikatë është bërë e ditur se janë ndarë 200 mijë euro, për hapjen dhe futjen në funksion të puseve në lagjen ‘Fidanishte’ të Gjilanit.

“Komuna e Gjilanit ka ndarë 140 mijë euro për këtë projekt, ndërsa ‘Hidromorava’ ka ndarë 60 mijë euro”, thuhet në komunikatën e Ujësjellsit.

“Të gjithë konsumatorët që kanë nevojë për furnizim me autocistern mund të drejtohen pranë Zyrës për Konsumtarë në administratën qendrore ose përmes numrave tanë të telefonit. Për shkak të sigurisë, ujin e autocisternave mos e përdorni për pije por vetëm për sanitari”, thuhen në fund të komunikatës.

 

Kriza për ujë në Gjilan, a po rrezikohen rajonet tjera?

.