Gjilan, për të tretën herë dështon gjykimi për keqpërdorim detyre

Seanca gjyqësore ndaj Kadri Ismajlit, i cili nga Prokuroria  akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare si Shef i Ekonomisë së Pyjeve në Viti, ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Gjilanit.

Shkak për dështimin e seances së sotme ishte mungesa e deshmitarëve të cilët ishin ftuar nga Gjykata por që ftesave nuk u ishin përgjigjur.

Kryetari i trupit gjykues Islam Thaçi njoftoi të pranishmit se nuk ka kushte ligjore për mbajtjen e seancës së sotme.

“Për seancën e radhes të gjithë dëshmitarëve do tu lëshohet urdhëresë për sjellje me detyrim, pasi që të gjithë i kanë pranuar ftesat në mënyrë të rregullt dhe mungesën e tyre nuk e kanë arsyetuar asnjëri nga ta”, tha gjykatësi Islam Thaqi.

Kujtojmë se kjo lëndë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 18.09.2019, ku ishte konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Kadri Ismajli gjatë viteve 2016 dhe 2017 në Viti, në Hapësirat e Ekonomisë së Pyjeve, në cilësinë e personit zyrtar i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke qenë në pozitën e Shefit të Ekonomisë së Pyjeve në Viti i ka shitur drunjtë të cilët Ekonomia e Pyjeve në Viti i kishte lajmëruar si të vjedhura në Stacionin Policor në Viti.

Kujtojmë se edhe seancat e datës 4 nëntor 2019 dhe seanca e dates 17 janar të këtij viti kishin dështuar të mbahen. Kurse seanca që është dashur të mbahet sot, u shty për muajin dhjetor.

Dështon seanca gjyqësore ndaj shefit të Ekonomisë së Pyjeve në Viti