Foto: Gjykata Themelore në Gjilan

Gjilan, për të katërtën herë dështon gjykimi për keqpërdorim detyre

Seanca gjyqësore ndaj Kadri Ismajlit, i cili nga Prokuroria akuzohet se keqpërdori detyrën zyrtare si shef i Ekonomisë së Pyjeve në Viti, ka dështuar të mbahet sot në Gjykatën e Gjilanit.

Shkak për dështimin e seancës së sotme, ishte mungesa e kryetarit të trupit gjykues Islam Thaqi, i cili mungoi për shkaqe shëndetësore.

Kjo lëndë është kthyer në rigjykim nga Gjykata e Apelit me aktvendimin e datës 18.09.2019, ku ishte konstatuar se aktgjykimi i shkallës së parë përmban shkelje esenciale të dispozitave procedurale.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Kadri Ismajli gjatë viteve 2016 dhe 2017 në Viti, në hapësirat e Ekonomisë së Pyjeve, në cilësinë e personit zyrtar, i ka tejkaluar kompetencat e tij me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm, duke qenë në pozitën e shefit të Ekonomisë së Pyjeve në Viti i ka shitur drunjtë të cilët Ekonomia e Pyjeve në Viti i kishte lajmëruar si të vjedhura në Stacionin Policor në Viti.

Edhe seancat e datës 4 nëntor 2019, ajo e datës 17 janar 2020 dhe e datës 08 tetor 2020, kishin dështuar të mbahen. Kurse për seancën që u dashtë të mbahet sot, zyrtarisht nuk është caktuar ndonjë ditë se kur do të mbahet.

Kallxo.com ka raportuar edhe më parë për këtë rast: https://kallxo.com/lajm/gjilan-per-te-treten-here-deshton-gjykimi-per-keqperdorim-detyre/.