Ilustrim

Gjilan, paraburgim për të dyshuarit se vunë në qarkullim para false

Gjykata në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë, duke i caktuar masën e paraburgimit prej 30 ditëve të pandehurve O. K., L. S., L. H. dhe S. Sh..

Ata po dyshohen se kanë vënë në qarkullim para false.

 Gjykata njofton se ekziston dyshimi i bazuar se me datë 31.12.2020, 27.01.2021, 13.02.2021 dhe 16.02.2021, të pandehurit në bashkëveprim duke e ditur se paratë janë të falsifikuara, i kishin vënë në qarkullim duke i përdorur ato si të vërteta.

Tutje thuhet se paraburgimi ka qenë masa adekuate në këtë fazë të procedures.

 “Gjyqtari i procedurës paraprake në Departamentin e Krimeve të Rënda, pas mbajtjes së seancës dëgjimore, ka refuzuar kërkesën e mbrojtësve të pandehurve, për caktimin e masave alternative, duke konsideruar se caktimi i masës së paraburgimit krijon kushte për zhvillimin me sukses të procedurës penale, duke e marr parasysh edhe faktin që njëri nga të pandehurit është shtetas i Republikës së Serbisë dhe mund të i ik drejtësisë”, njofton gjykata e Gjilanit.