Foto: Gjykata Themelore në Gjilan

Gjilan, një muaj paraburgim për qytetarin që sulmoi zyrtarin policor dhe iu gjet lëndë narkotike

Gjykata Themelore në Gjilan ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Gjilanit, për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 (tridhjetë) ditë ndaj të pandehurit E. L. i cili sulmoi një zyrtar policor dhe iu gjet substancë narkotike.

Në komunikatën për media të gjykatës bëhet e ditur se, para dy ditëve në fshatin Velekincë të Gjilanit, derisa policia kishte ndalur të dyshuarin, ky i fundit kishte goditur një zyrtar policor ku më pas tenton të ikë por që është kapur prapë nga policia.

Tek i dyshuari gjatë kontrollit janë gjetur 13 qese me narkotikë të llojit ‘marihuanë”

“Ekziston dyshimi i bazuar se me datë 28.09.2021, rreth orës 13:30 minuta, në rrugën “Rafet Isufi” në fshatin Velekincë, Komuna e Gjilanit, derisa Policia e ndalin për ta legjitimuar të pandehurin, ky i fundit  e godet policin dhe arrit të shmangej dhe policia i vihen pas dhe e kapin. I pandehuri reziston aktivisht megjithatë Policia arrijnë ta vejnë në nën kontroll dhe e arrestojnë, dhe gjatë kontrollit në trupin e tij gjejnë 13 qese të ndara me narkotikë të llojit “marihuanë” e që për nga qëllimi dhe gjetja e narkotikut në 13 qese ishin të destinuara për shitje”, thuhet në komunikatë.

Në komunikatë tutje potencohet se, me këto veprime, i pandehuri dyshohet të ketë kryer veprat penale ‘blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substanca psikotrope dhe analoge’’ dhe “sulm ndaj personit zyrtar”, vepra këto të sanksionuara me Kodin Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Sipas vlerësimit të gjyqtarit të procedurës paraprake qëndrojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit ndaj të pandehurit, pasi që ekziston rreziku i ikjes sërish dhe do të ndikonte në zhvillimin me sukses të procedurës penale.