Gjilan, nis nga fillimi gjykimi ndaj të akuzuarit për vrasjen para 15 viteve

Florim Zymeri, i akuzuar për vrasje në Gjilan ka dalur sërish para gjykatës.

Zymeri ishte liruar nga akuza nga Gjykata Themelore e Gjilanit mirëpo Gjykata e Apelit urdhëroi që kjo lëndë të gjykohet nga fillimi.

Në seancën e sotme, i akuzuari sërish nuk e pranoi fajësinë për vrasje të rëndë, ndërsa u dëgjuan dy dëshmitarë.

Mumin Rexhepi dhe Ramadan Shabani deklaruan se qëndrojnë prapa deklaratave të dhëna në shqyrtimin e kaluar gjyqësor.

Trupi gjykues në konsultim me palët në procedurë i konsideroi të lexuara deklaratat e dëshmitarëve të tjerë nga shqyrtimi i kaluar.

Kujtojmë se Gjykata e Apelit këtë çështje e kishte kthyer në rigjykim për shkaqe procedurale.

Florim Zymeri akuzohet se në prill të vitit 2004 në rrugën “Reshat Ymeri” në Gjilan së bashku edhe me një person të mitur, në Gjilan e kanë privuar nga jeta në mënyrë mizore tani të ndjerin Bajram Vllasaliu, duke e goditur me mjete të forta të cilat i kanë shkaktuar vdekjen.

Pas kësaj, gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari dhe i mituri ja kanë vënë flakën shtëpisë, në atë mënyrë që nga zjarri është djegur edhe një pjesë e trupit të viktimës.