Foto: Komuna e Gjilanit

Gjilan, ndërtimet pa leje të bëra gjatë kohës së pandemisë do të rrënohen

Të gjitha ndërtimet pa leje të kryera gjatë kohës së pandemisë në Gjilan, Komuna  ka vendosur të i rrënojë.

Me anë të një njoftimi komuna ka shpjeguar se ndërtimet në Gjilan do të rrënohen.

“Komuna e Gjilanit ka ndëprerë sot objektin e radhës, i cili është ndërtuar pa leje, gjatë periudhës që po zbatohen masat kundër Covid-19. Kryetari i Komunës, Lutfi Haziri, ka njoftuar se nuk do të ketë tolerancë për ata që tentojnë të ndërtojnë, duke e shfrytëzuar kohën e pandemisë”, thuhet në njoftimin e Komunës së Gjilanit.

Gjithashtu në njoftim thuhet edhe se kanë identifikuar ndërtimet pa leje që janë bërë brenda një muaji.

“Ne i kemi identifikuar dhe ndërprerë ndërtimet pa leje që janë bërë brenda një muaji. Rasti i fundit i ndërprerjes së punimeve për një objekt, i cili duket se është destinuar për motel, në këtë kohë kur ne po përballemi me masat kundër pandemisë, është shembulli më i keq”, ka thënë Haziri.

Gjithashtu kryetari Haziri ka bërë apel që të mos shfrytëzohet pandemia për aktivitete ilegale.