Foto: PK.

Gjilan, konfiskohet kokainë, arrestohet i dyshuari

Policia e Kosovës bërë të ditur se ka arrestuar në Gjilan personin më inicialet Sh.R. (1997) pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij janë gjetur 220 gramë drogë në vlerë 22 mijë euro.

Policia bën të ditur se droga është gjetur në kuadër të operacionit “Shpërndarësi 2’, i realizuar me qëllim të vënies para drejtësisë të personave që përfshihen në trafikim të lëndëve narkotike.

“Sot, në orët e pasdites, në koordinim me organet e drejtësisë, është bërë kontrolli i shtëpisë dhe objekteve përcjellëse të të dyshuarit Sh.R., (viti i lindje 1997, mashkull kosovar). Aty janë gjetur dhe konfiskuar si prova materiale: gjashtë paketime me substancë që dyshohet të jetë kokainë me peshë 220 gramë, dy peshore dhe prova tjera që do të përdoren në procedurë të mëtejme”-thuhet në njoftimin e Policisë.

Sipas Policisë, vlera e substancës së konfiskuar është rreth 22 mijë euro.

Ndaj të dyshuarit është iniciuar rasti penal – shitblerje e drogës.

Policia thotë se i dyshuari, pas intervistimit, është dërguar në mbajtje deri në 48 orë.