Gjilan, kapen rreth 2 kilogramë heroinë

Rreth dy kilogramë drogë të llojit heroinë janë kapur në Gjilan, si dhe janë arrestuar dy persona të dyshuar, pasditen e së shtunës.

Sipas Policisë së Kosovës, Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik, sot rreth orës 14:45 pas një pune hetimore ka arritur tek informacionet se një person i dyshuar me inicialet Sh.I., është duke bërë shit-blerje të substancave narkotike.

Policia ka bërë të ditur se i njëjti gjithashtu ka pasur edhe urdhër-arrest aktiv të Gjykatës Themelore në Gjilan, për vuajtje të dënimit prej 18 muajve e 40 ditëve.

“Gjatë ditës hetuesit e anti-drogës në Gjilan, në konsultim me Prokurorin e Shtetit dhe me Urdhër verbal të Gjyqtarit të Procedurës Paraprake në Gjilan, kanë vazhduar dhe është bastisur/kontrolluar shtëpia e një të dyshuari tjeter me iniciale (F.A.), nip i të dyshuarit tani më të arrestuar, nën dyshimin e bazuar në lidhje me veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike dhe psikotropike”, thuhet në komunikatën e Policisë së Kosovës.

Gjatë bastisjes në këtë lokacion, sipas Policisë, janë gjetuar dhe sekuestruar 17 paketime me heroinë dhe një peshore elektrike.

“Po ashtu, bastisje është bërë edhe në banesën e të dyshuarit të parë (Sh.I.), në rr. “Hamdi Kurteshi” me ç’rast në cilësi të provës materiale është gjetur dhe sekuestruar një peshore elektronike (digjitale) si dhe (5) pesë paketime me substancë të dyshuar narkotike të llojit Heroinë”.

Sipas Policisë droga e konfiskuar arrin në 1 kilogram e  743 gram Heroinë, ndërsa si provë që mund të ndërlidhet me rastin është sekuestruar një veturë Golf 4.

“Në konsultim me Prokurorin kompetent pas intervistimit i dyshuari me iniciale (F.A.) ndalohet për 48 orë dhe rasti të procedohet për hetime të mëtejme”, thuhet në fund të komunikatës së Policisë së Kosovës.