Gjilan, I akuzuari për falsifikim të parasë e pranon fajësinë

Para Gjykatës në Gjilan ka dalur Refki Qoqaj, i cili nga Prokuroria po akuzohet se paratë e falsifikuara i ka futur në qarkullim edhe pse e ka ditur se të njëjtat janë të falsifikuara.

Në fillim të seancës gjyqësore kryetari i trupit gjykues Islam Thaçi tha se Gjykatës i ka arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë.

“Gjykata konstaton se në shkresat e lëndës ka arritur një marrëveshje për pranimin e fajësisë e cila është lidhur në mes të akuzuarit në njërën anë  dhe Prokurorisë në anën tjetër”, tha gjykatësi Thaqi.

Kurse Prokurori tha se mbetet në tërësi pranë marrëveshjes së arritur dhe dënimit të cilin e kanë cekur në marrëveshje.

“I akuzuari ka qenë bashkëpunues dhe nuk i ka ditur veprimet e veta, më parë nuk ka qenë i dënuar, mbes edhe pranë sanksionit penal të cilin e kemi parashikuar i cili është prej 3 muaj burg dhe i cili do t’i zëvendësohet me 1000 euro gjobë”, tha shkurt Prokurori Uka.

Tutje në seancë i akuzuari Qoqaj dhe mbrojtësi i tij, avokati Selami Rexhepi thanë se janë dakord me marrëveshjen e cila u propozua në seancë dhe në pajtim me Prokurorin Agron Uka kanë arritur dhe nënshkruar marrëveshje për pranim të fajësisë duke u pajtuar me të gjitha kushtet dhe dënimin  të cilat janë të përfshira në marrëveshje.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Refki Qoqaj, me datën 28 nëntor 2018, në Gjilan edhe pse e ka ditur se paratë janë të falsifikuara të njëjtat i ka vënë në qarkullim si të vërteta.

Në aktakuzë përshkruhen veprimet e të akuzuarit deri tek vënia në qarkullim e parave të falsifikuara.

Aty thuhet se i akuzuari Qoqaj, shumën e parave të metalta pasi i ka dërguar për këmbim me para prej letre në një barnatore në Gjilan, pas verifikimit nga ana e Farmacistit të njëjtat janë hetuar dhe është njoftuar edhe Policia.

Në fund të seancë gjykatësi Islam Thaqi e aprovoi marrëveshjen e arritur në Gjykatë dhe tha se për Gjykatën e njëjta është e pranuar.

“Marrëveshja e cila na është sjellur në shkresat e lëndës për Gjykatën është e pranuar, andaj dënimi prej 3 muaj burgim do t’i zëvendësohet me gjobë të akuzuarit sipas marrëveshjes”, tha në fund gjykatësi Thaqi pasi e shpalli edhe vendimin lidhur me këtë çështje.