Gjilan, i akuzuari për armëmbajtje pa leje nuk i përgjigjet gjykatës

Seanca ndaj Faton Latifit, i akuzuar nga Prokuroria e Gjilanit për armëmbajtje pa leje ka dështuar të mbahet në Gjykatën e Gjilanit.

Prokuroria e akuzon Faton Latifin se në mënyrë të kundërligjshme ka bartur armë të zjarrit me gaz. I akuzuari nuk është paraqitur sot në seancë.

Kryetari i trupit gjykues, Zyhdi Haziri tha se seanca nuk mund të mbahet për shkak të mungesës së të akuzuarit dhe prokurorit të shtetit.

“Prokurori do të njoftohet në mënyrë të rregullt për datën në të cilën do të mbahet seanca kurse ndaj të akuzuarit do të lëshohet urdhëresë për sjellje me dhunë”, tha Haziri.

Sipas Prokurorisë, gjatë kontrollit në banesën e të akuzuarit në Gjilan i është gjetur dhe konfiskuar arma e zjarrit me gaz me një karikator dhe dy fishekë.

Seanca e sotme u shty për datë të pa caktuar.