Gjilan, i akuzuari e pranon se theri 6 herë viktimën në shpinë

Alban Miftari i akuzuar për vrasje në tentativë, e ka pranuar fajin sot para Gjykatës së Gjilanit.

Ai akuzohet se ka tentuar ta vrasë tani të dëmtuarin, Stanisha Ivanoviq.

Dosja e prokurorisë thotë se në muajin dhjetor të vitit 2019 ka tentuar ta vrasë të dëmtuarin Stanisha Jovanoviq ku pas një konfilkti verbal afër portës së oborrit të të dëmtuarit e ka goditur gjashtë herë me thikë në pjesën e shpinës duke i shkaktuar lëndime të rënda trupore.

Tutje në seancën e sotme pas leximit të aktakuzës nga Prokurori i Shtetit Shaban Spahiu, i akuzuari tha se e pranon fajësinë lidhur me atë që e ngarkon prokuroria e Gjilanit.

“Pasi jam konsultuar me avokatin tim e pranoj fajësinë ashtu siç e lexoi Prokurori. Nuk më ka detyruar askush ta pranoj fajësinë por e pranoj me vullnet timin pasi i kuptoj edhe pasojat e pranimit të tillë”, tha i akuzuari Alban Miftari.

Prokurori i shtetit nuk e kundërshtoi pranimin e fajësisë nga i akuzuari Alban Miftari, pasi tha se i akuzuari e ka pranuar fajësinë ashtu siç është përshkruar në aktakuzë.

Kurse mbrojtësi i të dëmtuarit, avokati Vasilja Arsiq tha se nuk e kundërshtojnë pranimin e fajësisë nga i akuzuari.

“I bashkangjitemi ndjekjes penale dhe kërkojmë kompensimin e dëmit material dhe jo material”, tha shkurt mbrojtësi i të dëmtuarit, avokati Vasilja Arsiq, të cilin e mbështeti edhe i dëmtuari Stanisha Ivanoviq.

Seanca e sotme u ndërpre pasi që gjykata e aprovoi pranimin e fajësinë nga i akuzuari për ta shpallur vendimin e sajë gjyqësor me datën 15 qershor.