Gjilan: Gjoba mandatore për ata që shkelin masat kundër pandemisë

Për shkak të rritjes së numrit të të infektuarve me COVID-19, Komuna e Gjilanit ka paralajmëruar gjoba mandatore për qytetarët që nuk respektojnë rregullat, rekomandimet dhe vendimet e Qeverisë për mbrojtje nga pandemia.

Në një konferencë për media, kryetari Lutfi Haziri përveç që ka bërë thirrje që qytetarët të qëndrojnë në shtëpi, ka paralajmëruar edhe gjoba mandatore.

Sipas kryetarit të Gjilanit, për persona fizik dënimet janë deri në dy mijë euro e për ata juridik deri në 8 mijë euro.

“Hyrja e një qytetari në zonën e karantinës, në familjen e karantinuar, për motive familjare dhe mosdistancimi, ka bërë që ajo ta bartë pastaj infeksionin në familjen e saj. Pastaj prej familjes së origjinës është bartur në familjet tjera, që në përshkrim dhe rrugëtim me kontaktet e zgjeruara pastaj kemi arritur në këtë shifër prej 51 rasteve”, ka thënë kryetari, sipas një njoftimi të Komunës.

Haziri ka renditur një numër të madh të shkeljeve që po bëhen në vazhdimësi dhe ka konfirmuar se dënimet mandatore do të jenë të domosdoshme për t’u vënë në vend rendi dhe rregulli.

“Përdorimi i masave mbrojtëse është duke u neglizhuar. Shumica e shërbimeve edhe në disa markete të mëdha është duke u ofruar pa masa mbrojtëse. Punëtorët që shesin produktet, por edhe blerësit është e obligueshme dhe e domosdoshme të përdorin, maska dhe dorëza. Inspeksioni komunal do të vepron me gjoba direkte për të gjithë ata që thejnë rregullat”, ka theksuar kryetari Haziri.