
Ilustrim: KALLXO.com
Gjilan, e la punën si psikologe në shkollë dhe u transferua në QKMF-në që drejtohet nga burri i saj
Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Gjilan është duke punuar si psikologe gruaja e ushtruesit të detyrës së drejtorit të QKMF-së, Basri Kamberi.
Fillimisht, KALLXO.com është informuar përmes një raportimi në të cilin pretendohej se gruaja e Kamberit, Merita Bajrami-Kamberi, është punësuar pa konkurs si psikologe në QKMF të Gjilanit.
Pasi ekipi i KALLXO.com e ka vizituar QKMF-në e Gjilanit e ka gjetur në zyren e psikologes Merita Bajrami-Kamberin.
Ajo në një intervistë e ka mohuar se është punësuar pa konkurs si psikologe në QKMF të Gjilanit.
Kurse, burri i saj, Basri Kamberi, pasi nuk ishte në zyrën e tij gjatë kohës sa ekipi i KALLXO.com ishte në QKMF të Gjilanit përmes telefonit ka thënë se gruaja e tij është e transferuar, por jo e punësuar si psikologe.
Kamberi ka thënë se nuk ka pasur konkurs për punë në pozitën e psikologes në QKMF të Gjilanit.
“Në momentin që s’është e punësume d.m.th. nuk ka pasë konkurs, se s’ka pasë konkurs për punë. Është e transferume. E transferume, jo e punësume” – ka deklaruar Kamberi.
Kamberi ka shtuar se nuk e ka nënshkruar kontratën e gruas së tij dhe se nuk ka pasur ndikim në “transferimin” e saj në QKMF të Gjilanit.
“Është e transferume d.m.th. ndikimi im është zero, nuk ka shans, kurrgjë në këtë farë drejtimi” – ka thënë Kamberi.
Edhe psikologia Bajrami-Kamberi tha se “nuk është ushtruesi i detyrës, d.m.th. drejtori (i QKMF-së së Gjilanit)” që e ka nënshkruar kontratën e saj.
Bajrami-Kamberi deklaroi se është e punësuar si psikologe shkollore nga viti 2013, duke treguar se më parë ka punuar në Shkollën “Thimi Mitko” në Gjilan.
“Këtu (QKMF Gjilan) në këtë pozitë kam kalu përmes Ligjit për transferin publik, Ligjin që është për zyrtarët publikë” – ka thënë Bajrami-Kamberi.
Sipas Bajrami-Kamberit ajo ka nisur të punojë si psikologe në QKMF të Gjilanit që një muaj e disa ditë dhe thotë se për punësimin e saj është e informuar Drejtoria e Shëndetësisë në Komunën e Gjilanit.
Ajo po ashtu e ka mohuar se ka ndikuar burri i saj, Basri Kamberi, që të pranohet si psikologe në QKMF të Gjilanit.
Kur është pyetur se pse ka kaluar në QKMF të Gjilanit nga Shkolla “Thimi Mitko”, ajo ka theksuar se ka nevojë për psikologe në këtë Qendër, sidomos në orarin e mesditës.
“Besoj që ka shumë nevojë për shërbimet për t’iu ofru qytetarëve, shërbimet si piskolog klinik edhe për atë arsye d.m.th. jemi transferu” – tha Bajrami-Kamberi.
Sipas saj, në QKMF të Gjilanit është e punësuar edhe një psikologe tjetër.
“Është edhe një psikologe por që ja po e shihni edhe vetë që në ndërrimin e pasditës nuk është psikologia është e angazhume edhe në Qendrën d.m.th. për strehimin e grave, është e angazhume në komisionet e tjera dhe kështu që për mos me mbetë shërbimet, për me u ofru më shumë shërbime ose më të mira qytetarëve jam angazhu dhe unë” – ka treguar Bajrami-Kamberi.
KALLXO.com ka insistuar disa herë që ta kuptojë se si e kishte marrë vesh Bajrami-Kamberi për mundësinë e punësimit të saj në QKMF të Gjilanit, por ajo insiston se është mbështetur në bazë të transferit që pretendon se është ligjor.
“Jo, unë thash që s’ka pasë konkurs d.m.th. në momentin që është hapur konkursi i bie që është e publikume, po është pa mundësia që mundet d.m.th. transferi” – ka shtuar ajo.
Ajo e ka pohuar po ashtu se ka dorëzuar edhe dokumente të saj të punësimit në Komunë të Gjilanit dhe se është nënshkruar një vendim që ajo të punësohet në QKMF të Gjilanit.
“Është CV-ja, janë d.m.th. diplomat, është licenca që jam psikologe e licencume, trajnimet të gjitha këto që duhet m’i përmbushë për pozitën” – janë dokumentet që Bajrami-Kamberi tha se i ka dorëzuar në Komunë të Gjilanit.
Ajo tha se nuk e di kohën saktë sa ka pritur për t’u informuar se mund të punojë në QKMF të Gjilanit pasi i ka dorëzuar dokumentet e saj në Komunë.
KALLXO.com nga data 21.01.2025 e ka pyetur Komunën e Gjilanit për punësimin me apo pa konkurs të Merita Bajrami-Kamberit në QKMF Gjilan, por nuk ka marrë përgjigje.
Prandaj, KALLXO.com më 27.01.2025 ka kërkuar qasje në këto informacione përmes Agjencisë për Informim dhe Privatësi (AIP).
AIP më 10.02.2025 i ka kërkuar kryetarit të Gjilanit, Alban Hyseni, arsyetimin se pse nuk kanë ofruar qasje në informacionet e kërkuara nga KALLXO.com.
KALLXO.com do të raportojë në rast se Komuna e Gjilanit ofron përgjigje për këtë rast.
Në anën tjetër, në nenin 63 të Ligjit 08/L-197 për Zyrtarët Publikë flitet për transferimin e përkohshëm. Sipas paragrafit të parë të këtij neni, nëpunësi civil mund të transferohet përkohësisht në një pozitë tjetër të shërbimit civil të së njëjtës kategori në rastet: kur është në interes të institucionit, prej gjashtë deri në dymbëdhjetë muaj gjatë dy vjetëve; për përmirësimin e rezultateve të punës të vetë nëpunësit; për arsye të përkohshme shëndetësore në bazë të vendimit të komisionit kompetent.
“Transferimi mund të bëhet: 2.1. brenda institucionit ku është emëruar, duke përfshirë këtu edhe degët e tij lokale; 2.2. në një agjenci ekzekutive të institucionit ku është emëruar; 2.3. në një institucion tjetër, që punëson shërbyes civil” – thuhet në paragrafin dy të nenit 63 të Ligjit 08/L-197.
“Nëpunësja/i civil, i cili transferohet në një vend tjetër pune me kërkesën e institucionit, i cili është më i largët se sa vendi i saj i punës, i kompensohen shpenzimet e udhëtimit nga institucioni, i cili e transferon nëpunësen/in” – thuhet në paragrafin katër të nenit 63.
Ndërsa, në paragrafin e parë të nenit 64 të Ligjit 08/L-197 për Zyrtarët Publikë flitet për transferimin e përhershëm, i cili thuhet se është caktimi i detyrueshëm i nëpunëses/it civil në një pozitë tjetër të shërbimit civil në disa raste.
“1.1. të paaftësisë shëndetësore për të kryer detyrat e pozitës së mëparshme; 1.2. të shmangies së një konflikti të vazhdueshëm interesi, të përcaktuar me ligj; 1.3. të përfundimit të pezullimit, me kërkesë të nëpunëses/it civil kur ai nuk mund të kthehet në pozitën e mëparshme të punës; 1.4. të shqiptimit të transferimit si masë e pamjaftueshmërisë profesionale; 1.5. të shqiptimit të transferimit si masë disiplinore” – janë rastet e përmendura në paragrafin një të nenit 64 të Ligjit 08/L-197.
Gjithashtu edhe në nenin 65 të Ligjit 08/L-197 flitet për transferimin e përhershëm për interes të institucionit. Në paragrafin dy të nenit 65 thuhet se transferimi i përhershëm mund të bëhet në një njësi tjetër administrative në kuadër të institucionit të njëjtë ose në institucion tjetër të shërbimit civil.
“Përgatitja profesionale e nëpunëses/it që transferohet duhet të jetë në përputhje me kërkesat e pozitës në të cilën transferohet. Transferimi i nëpunëses/it civil brenda institucionit të njëjtë bëhet në pajtim me udhëheqësen/in e drejtpërdrejtë, udhëheqësen/in më të lartë administrativ dhe me pëlqimin e nëpunëses/it civil. Transferimi i nëpunëses/it civil në një institucion tjetër të shërbimit civil, bëhet në pajtim me pëlqimin e nëpunëses/it dhe me marrëveshje në mes të institucioneve” – shkruan në paragrafët 3, 4 dhe 5 të nenit 65.