Gjilan - Dyshohet se një grua vdiq pasi ra nga ballkoni

Një grua është gjetur e vdekur në pjesën e pasme të një ndërtese në rrugën “Raif Halimi” në Gjilan.

Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë së Kosovës në rajonin e Gjilanit.

“Sot me 21 korrik 21 rreth orës 03:50 të mëngjesit, Policia e Kosovës në Gjilan ka pranuar informatën se në rrugën “Raif Halimi”, në pjesën e pasme të njërës nga ndërtesat në këtë rrugë është vërejt një trup i personit të gjinisë femërore”, ka thënë Hashani.

Sipas njoftimit dyshimet e para janë se viktima ka rënë nga ballkoni i banesës së saj ku ishte duke jetuar.

Me vendim të prokurorit trupi i pa jetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.

“Rasti për momentin është cilësuar si “vdekje e dyshimtë” dhe hetimet e mëtejme janë duke i udhëhequr Policia e Kosovës – njësitet e hetimeve Rajonale në kordinim me Prokurorinë e shtetit”, ka thënë Hashani.