Gjilan, dënohet burri pasi në gjendje të dehur rrahu gruan në kohë të syfyrit

Një 54-vjeçar me inicialet B.S. është dënuar nga Gjykata e Gjilanit për shkak se akuzohet se kishte rrahur gruan e tij në prill të këtij viti.

Në bazë të vendimit të Gjykatës, 54-vjeçari dyshohet se më 3  prill rreth orës 3:00 të mëngjesit kishte ushtruar dhunë psikologjike dhe fizike ndaj gruas së tij.

Siç është përshkruar në vendimin e Gjykatës, në orët e hershme të 3 prillit, më saktësisht rreth orës 3:00 të mëngjesit, burri në gjendje të dehur kishte shkuar në shtëpi ndërsa gruaja e tij në atë kohë ishte zgjuar për të përgatitur syfyrin, e që më pas kishte nisur një fjalosje mes çiftit.

Gruaja ishte ankuar se pse burri kishte pirë aq shumë duhan në dhomë pasi aty flinin dhe fëmijët ndërsa, burri siç pretendohet në vendim, ishte revoltuar dhe kishte filluar që t’i bërtiste e ta shante gruan e tij me fjalët më të ulëta dhe i ishte vërsulur që ta sulmojë mirëpo ajo ishte shmangur dhe kishte hyrë në banjë.

I pandehuri i revoltuar i kishte shkuar pas dhe e kishte goditur dy herë në kokë me telefon dhe i kishte shkaktuar lëndime të lehta.

Në mes kishte hyrë djali, i cili i ishte lutur babait që të pushojë ndërsa burri në gjendje të dehur kishte vazhduar që të përulë me fjalë të dëmtuarën, ndërsa në atë kohë i kishte thirrur edhe punëdhënësin dhe i kishte thënë se gruaja e tij nuk do të punonte më.

Me këto veprime të burrit ishte konstatuar se gruas i ka shkaktuar dhimbje, frikë dhe shqetësim të madh emocional me çka edhe ka kryer veprën penale të dhunës në familje.

Gjykata në Gjilan e ka dënuar të pandehurin me burg në kohëzgjatje prej 180 ditësh dhe dënim me gjobë prej 250 euro.

Dënimi me burg i ishte zëvendësuar me gjobë prej 2 mijë euro.

Gjykata tutje në vendim ka shpjeguar edhe dhënien e dënimit për 54 vjeçarin ndërsa si rrethanë lehtësuese ka marrë për bazë mosndjekjen penale nga ana e të dëmtuarës, pendesën e të pandehurit, bashkëpunimin e të pandehurit me prokuroren, pranimin e fajësisë si dhe premtimin se nuk do të kryejë më vepra penale.

Në rrethanat lehtësuese për të pandehurin ka hyrë edhe evidentimi se i njëjti nuk ka qenë i dënuar më parë për ndonjë vepër penale të kësaj natyre.