Gjilan, dënim me burg për shoferin që goditi për vdekje 18 vjeçarin

Në Gjykatën e Gjilanit, në mes lotësh, është mbajtur seanca ndaj të akuzuarit Kushtrim Zeneli për aksidentin me pasojë vdekjen, ku kishte vdekur djali i vetëm i familjes Salihu.

Vozitësi Kushtrim Zeneli që e pranoi fajin për shkaktimin e aksidentit, u dënua me 4 vite burg dhe iu ndalua vozitja e automjetit për një vit.

Sipas Prokurorisë, i akuzuari Zeneli, në muajin korrik të vitit 2019, në rrugën Uglar-Malishevë duke vozitur me shpejtësi më të madhe se sa lejohet ka humbur kontrollin mbi veturë dhe është përplasur me një veturë tjetër.

Pas kësaj, vdekjen ka gjetur Granit Salihu, 18 vjeçar, kurse lëndime kanë pësuar edhe disa persona të tjerë.

Në seancë u dëgjua dëshmitari Januz Qamili i cili deklaroi se mbetet pranë deklarimeve të dhëna në në fillim të kësaj procedure.

“Në natën kur ka ndodhur rasti unë kam qenë duke vozitur veturën time afër fshatit Pogragjë. Unë kam qenë duke vozitur në anën e djathtë dhe kur ka kaluar personi i cili e ka shkaktuar aksidentin kam qenë në një distancë 20 deri në 30 metra afër tij”, tha dëshmitari Qamili.

Tutje dëshmitari tha se shpejtësia në të cilën ka qenë drejtuesi i automjetit ka qenë e madhe por nuk e din saktë sa.

I akuzuari deklaroi se e pranon fajësinë për këtë vepër.

“Këtë vepër e kam kryer nga pakujdesia dhe shprehu keqardhje për rastin qe më ka ndodhur. Deri tek aksidenti ka ardhur pa qëllimin tim”, tha i akuzuari.