Gjilan, dëgjohen dëshmi në gjykimin e inspektorëve për mos rrënimin e objekteve pa leje

Dy dëshmitarë janë dëgjuar sot në gjykatën e Gjilanit lidhur me akuzën ndaj inspektorëve dhe ish-Drejtorit të Urbanizmit në këtë komunë.

Valon Shefkiu (Ish-Drejtor i Urbanizmit), Baki Azemi, Merita Cana-Shabani dhe Shkëndije Mahmuti-Hajdini (inspektorë) po akuzohen për mosrrënimin e objekteve pa leje.

Kujtojmë se Gjykata e Gjilanit më 8 qershor 2018 kishte liruar të akuzuarit ndërsa Gjykata e Apelit me vendimin e saj të datës 22 nëntor 2018 e kishte kthyer këtë rast në rigjykim.

Në seancën e sotme u paraqitën dëshmitarët Fadil Jaha dhe Tahir Pireva.

Fadil Jaha dëshmoi në cilësinë e ish- zyrtarit të ekzekutimeve në Komunën e Gjilanit

Ai tha se “nuk e di ndonjë rast qe nuk është ekzekutuar (aktvendimi për rrënim) e që në atë periudhë kohore janë rrënuar afër 50-60 objekte”.

“Pas marrjes së vendimit ka pasur raste që inspektorët kanë dalur në terren dhe ju kanë thënë ndërtuesve se mund të pajisen me leje ndërtimore, ka pasur raste që ndërtuesit janë pajisur me leje ndërtimore dhe ta bëjnë pagesën lidhur me taksën e urbanizmit, e gjith kjo ka ndodhur pasi ne ju kemi lënë një afat prej 15 ditësh”, tha ai.

Dëshmitari shtoi se të akuzuarit nuk kanë pasur vërejtje në punë.

“Me përgjegjësi të plotë penale deklaroi se unë si ekzekutues u kam dërguar secilit inspektor të rastit të vet për asistencë në ditën e rrënimit dhe asnjëherë nuk kanë hezituar që të më ofrojnë ndihmën me rastin e rrënimit. Me sa e di unë asnjë nga të akuzuarit asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë vërejtje në punë, përkundrazi me sa e di unë kanë pasur edhe mirënjohje”, përfundoi Jaha.

Në këtë gjykim si dëshmitar u dëgjua edhe Tahir Pireva, drejtor i kompanisë “Euro Shped” që me Komunën e Gjilanit për një kohë kishte pasur kontratë për rrënim të objekteve.

“Gjatë periudhës deri sa kam pasur kontratë me Komunën ne kemi pasur kërkesa për rrënim të objekteve, nuk më kujtohet saktë se sa kërkesa i kemi pasur por mund të them se i kemi pasur afër 20 kërkesa për rrënim. Me sa më kujtohet ka qene një rast për rrënim dhe deri sa kemi shkuar në aksion gjatë rrugës kemi pasur një defekt në makineri dhe e kemi lajmëruar Komunën se për atë ditë nuk mund të dalim në terren pasi defekti merr kohë për riparim”, tha Pireva.

Dëshmitari deklaroi se kontratën për rrënim të objekteve e ka shkëputur për shkak se sipas tij komuna filloi t’i neglizhojë pagesat.

“Nuk kam pasur asnjë lidhje me objektet qe janë të përfshira në aktakuzë, nuk kam qenë kontraktues i komunës për rrenim në kohen kur kanë qenë duke u ndërtuar këto objekte”, tha dëshmitari.

Në mungesë të dëshmitarit Selver Xhelili, i cili ishte Drejtor i Inspeksionit në kohën kur dyshohet se është kryer vepra penale seanca e sotme u shty për muajin nëntor.

Kujtojmë se Gjykata e Gjilanit me datën 08 qershor 2018 kishte liruar të akuzuarit në mungesë të provave dhe kundër këtij vendimi Prokuroria kishte bërë ankesë në Gjykatën e Apelit ku kishte kërkuar që lënda të kthehet në ri gjykim.

Gjykata e Apelit me vendimin e saj të datës 22 nëntor 2018 e kishte kthyer këtë rast në rigjykim për shkak të shkeljeve esenciale të dispozitave të procedurës penale për arsye se siç thuhet në vendimin e Apelit, gjykata e shkallës së parë nuk ka dhënë arsye të qarta dhe të plota si dhe ka nxjerrë konkludime të gabuara për faktet vendimtare lidhur me lirimin e të akuzuarve.

Sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria Themelore në Gjilan më 4 shkurt 2016, të akuzuarit Valon Shefkiu, Baki Azemi, Merita Cana-Shabani dhe Shkëndije Mahmuti-Hajdini, në cilësi të inspektorëve ndërtimorë kanë keqpërdorur detyrën zyrtare që u ishte besuar me ligj.

Tutje sipas akuzues, katër të akuzuarit gjatë periudhës kohore 2013-2014 nuk kishin ndërmarrë veprime zyrtare për rrënimin e objekteve të ndërtuara pa leje ndërtimi, si dhe rrënimin e objekteve në të cilat është tejkaluar leja e ndërtimit.

Gjithnjë sipas aktakuzës, të akuzuarit në mënyrë të kundërligjshme dhe në kundërshtim me interesat dhe qëllimet e Komunës së Gjilanit, nuk kishin ekzekutuar masën për rrënimin e këtyre objekteve, duke iu mundësuar personave të ndryshëm përfitim pasuror.