ILUSTRIM: Dhuna në familje, Foto: Pixabay.com

Gjilan, burri sulmoi fizikisht gruan edhe pse ka pasur urdhër mbrojtës

Katër raste të dhunës në familje janë raportuar në katër qytete të ndryshme të Kosovës, prej tyre janë arrestuar dy persona.

Sipas Raportit të Policisë, në Prishtinë, vëlla e motër kanë raportuar se janë sulmuar nga prindi i tyre pas një mosmarrëveshjeje.

Rasti ka ndodhur më 19.12.2024, rreth orës 11:00 dhe për të është njoftuar Prokurori.

“Viktima mashkull ka pësuar lëndime trupore dhe ka pranuar tretman mjekësor. Nuk raportohet për të arrestuar.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 24.12.2024.

Policia në Ranillug ka arrestuar një burrë, pasi dyshohet se pas një mosmarrëveshjeje, kishte sulmuar dy djem të mitur, më 23.12.2024, rreth orës 12:20.

Të sulmuarit nuk kanë pranuar trajtim mjekësor – njofton Policia – ndërsa i dyshuari pas intervistimit është dërguar në mbajtje.

I arrestuari i dytë është në Gjilan, i cili dyshohet se ka sulmuar fizikisht gruan e tij, edhe pse ka pasur urdhër mbrojtës nga Gjykata.

Rasti ka ndodhur më 23.12.2024, rreth orës 08:50.

“Me vendim të Prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.” – ka njoftuar Policia. 

Një grua në Istog ka raportuar në Polici se ka një mosmarrëveshje me nënën e vëllain e saj.

Ky rast ka ndodhur më 23.12.2024, rreth orës 17:40.

“Lidhur me rastin është njoftuar Prokurori, ndërsa rasti shkon në procedurë të rregullt.” – ka thënë Policia.