Foto: Ilustrim

Gjilan, arrestohet pronari i një kompanie, i siguroi një kompanie tjetër 66 mijë euro për punët që s'i kreu kurrë

Pronari i një kompanie është ndaluar sot nga Prokuroria e Gjilanit.

I njëjti dyshohet se gjatë afro tre viteve ka pranuar si pozicione të kryera punë të pakryera që kapin vlerën rreth 66 mijë euro, duke e dëmtuar buxhetin e Komunës së Gjilanit, ndërsa një kompanie tjetër i ka siguruar përfitim material në shumën e lartcekur.

“Dyshohet se, i njëjti, në cilësi të mbikëqyrësit të punimeve të palestrës së sporteve në fshatin Zhegër, që nga data 12 Korrik 2017 deri më 03 Dhjetor 2020, ka pranuar si pozicione të kryera, punë të pa kryera në vlerë rreth 66.000 (gjashtëdhjetegjashtë mijë) euro, duke e  dëmtuar buxhetin e komunës së Gjilanit, ndërsa kompanisë ‘’Vision Project/Dino-SHPK’’, i ka siguruar përfitim material në shumën e lartcekur”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.

I dyshuari M.I., pronar i kësaj kompanie sipas Prokurorisë ka qenë i kontraktuar nga Komuna e Gjilanit për mbikëqyrjen e punimeve të palestrës së sporteve në fshatin Zhegër.

Sipas njoftimi të Prokurorisë personi në fjalë thuhet se ka kryer veprën penale – keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Tutje tha se Prokuroria e Gjilanit brenda afatit ligjor do të kërkojë masën për sigurimin e të pandehurit në procedurë penale nga Gjykata e Gjilanit.

Për arrestimin e të dyshuarit ka njoftuar edhe Policia.

Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK), konkretisht Njësia Rajonale për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit-Gjilan, ka zhvilluar hetime lidhur me tenderin e shpallur nga komuna e Gjilanit për ndërtimin e palestrës së sporteve në fshatin Zhegër-Gjilan.

Hetimet policore janë zhvilluar nën dyshimin se kompania për mbikëqyrjen e punimeve, konkretisht pronari i saj: M.J., (viti i lindjes 1973), që nga data 12.07.2017 deri më 03.12.2020, ka pranuar si punë të kryera punët në vlerë prej 66 mijë euro, e në fakt ato punë nuk ishin kryer duke e dëmtuar buxhetin e Komunës dhe duke i sjellë kompanisë që kishte fituar tenderin fitimin e lartcekur.

Sot, i dyshuari i lartcekur është arrestuar nga hetuesit policorë, është intervistuar në prezencën të avokatit dhe më pas me aktvendim të prokurorit i njëjti dërgohet në mbajtje për 48 orë, thuhet në njoftimin e Policisë.