Gjilan, arrestohen dy persona që dyshohen se e dhunuan një të mitur

Një vajzë e mitur ka deklaruar në Policinë e Kosovës se është dhunuar nga dy persona të moshës madhore.

Sipas njoftimit të Policisë, ngjarja dyshohet të ketë ndodhur në Gjilan gjatë muajit mars dhe prill të këtij viti.

“Është intervistuar viktima e mitur e cila ka deklaruar se është dhunuar nga dy të dyshuar të moshës madhore” – thuhet në njoftimin e Policisë.

Tutje është thënë se të dyshuarit janë arrestuar dhe me vendim të prokurorit janë dërguar në mbajtje.

Një rast tjetër i dhunimit dyshohet se ka ndodhur edhe ndaj një miture tjetër, 11-vjeçare në qershor dhe në gusht të këtij viti.

Për këtë rast, Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka thënë se e mitura 11-vjeçare është keqpërdorur e dhunuar për më shumë se një vit.

“Nuk mund të them saktësisht, meqenëse çështja është nën hetim por tashmë mund të them se më shumë se një vit është keqpërdor dhe dhunuar e mitura 11 vjeçare. Këto janë informatat e para”-tha Sveçla.

Po ashtu, Sveçla ka thënë se për ketë rast nuk janë arrestuar të gjithë të dyshuarit.

“Të gjitha informatat e deritanishme na tregojnë për dështime të një pas njëshme për të mbrojt ketë të mitur e pastaj edhe për të identifikuar se çfarë ka ndodhur por edhe për të identifikuar të gjithë dhunuesit të cilët fatkeqësisht ende të gjithë nuk janë arrestuar”-ka thënë ai.

Sveçla ka zbuluar sot detaje të reja lidhur me rastin e dhunimit të 11 vjeçare në Prishtinë.

Ai ka thënë se bëhet fjalë për më shumë sesa një apo dy raste të keqpërdorimit dhe dhunimit të saj.

“Fatkeqësisht pas hetimeve intensive të Policisë së Kosovës dhe Inspektoratit policor që kam kërkuar të kyqet në hetime kemi kuptuar që nuk behet fjalë për një rast, fatkeqësisht nuk bëhet fjalë as për dy raste por bëhet fjalë për më shumë raste të keqpërdorimit dhe dhunimit të të miturës 11 vjeçare”-ka thënë Sveçla në një konferencë për media.

KALLXO.com raportoi se rasti i 11-vjeçares tashmë ka dy raste të cilat do të hetohen ndaras. Njëri rast i cili dyshohet se ka ndodhur më 27 gusht, ku janë arrestuar dhe dërguar në paraburgim 5 persona për dhunimin që dyshohet se ka ndodhur në Prishtinë, dhe rasti tjetër që dyshohet se ka ndodhur më 21 qershor, ku tashmë janë arrestuar gjashtë persona.

Dosja e prokurorisë, të cilën e ka siguruar KALLXO.com, tregon se brenda një dite, pra më 21 qershor të këtij viti, viktima 11-vjeçare dyshohet se ishte dhunuar, trafikuar dhe ishte shfrytëzuar për shërbime seksuale nga gjashtë të dyshuarit.

Veprat penale dyshohet se janë kryer në disa motele.

Sipas dosjes së prokurorisë, deri te identifikimi dhe arrestimi i të dyshuarve erdhi pas ekzaminimit të telefonit të së miturës.

Kujtojmë se në dy raste të ndryshme janë arrestuar 11 persona nën dyshimet për dhunim, trafikim dhe shërbime seksuale.

Pesë nga të dyshuarit janë arrestuar pasi sipas policisë të njëjtit dyshohen se kishin dhunuar të miturën më 27 gusht. Dhunimi pretendohet se ka ndodhur brenda një intervali kohor prej 7 orësh në lokacione të ndryshme.

Në rastin e dytë janë arrestuar gjashtë persona të cilët dyshohen se kanë dhunuar e trafikuar të miturën në qershor të këtij viti.