Ilustrim

Gjilan, arrestim për fajde, dyshohet se i kërkoi kamatë mbi 22 mijë euro për 75 mijë euro

Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar një të dyshuar për fajde.

Në një komunikatë, Policia thotë se pas pranimit të një informate muaj më parë, hetuesit policorë të Gjilanit kanë filluar sigurimin e  provave materiale dhe dëshmive të tjera relevante, duke përdorur edhe masat e fshehta teknike dhe të hetimit dhe sot është prangosur nën dyshimin për veprën penale – fajde I dyshuari  L.K, shtetas i Kosovës, i lindur  më 1967.

Sipas Policisë, tashmë i arrestuari dyshohet se viktimës i kishte dhënë para me fajde në vlerë prej 75 mijë euro dhe si kamatë ia kishte kërkuar 22 mijë e 500 euro.

Me urdhëresë të Gjykatës së Gjilanit, sot më 28 maj, është kontrolluar shtëpia dhe objektet tjera përcjellëse pronë e të dyshuarit me ç’rast janë siguruar si dëshmi materiale disa dokumente të shkruara me dorë të lirë ku janë mbajtur shënime, kontrata si dhe marrëveshje në të cilat është përshkruar mënyra e kthimit të parave, periudhat kohore si dhe përqindja/ interesi.

Personi i dyshuar është intervistuar në prezencë të avokatit të tij mbrojtës i caktuar sipas detyrës zyrtare dhe pas përfundimit të intervistës me aktvendim të prokurorit të lëndës është ndaluar në Qendrën e ndalimit në afat prej 48 orësh.

Në lidhje me çështjen penale do të zhvillohen edhe procedura tjera hetimore në adresë të të dyshuarve tjerë të mundshëm të implikuar në këtë rast.