
Gjilan - Aktakuzë ndaj dy personave për grabitje me përdorimin e sëpatës e thikës
Prokuroria në Gjilan ka njoftuar se ka ngritur Aktakuzë ndaj dy personave për grabitje.
Sipas Aktakuzës, të pandehurit A.I. dhe E.D., më 18.01.2025, në Gjilan, me përdorimin e forcës dhe kanosjes me sëpatë e thikë kanë kryer grabitje.
“Me qëllim të dobisë pasurore të kundërligjshme, me përdorimin e forcës apo kanosjes serioze, me mjete të rrezikshme, sëpatë dhe thikë, kryejnë grabitje në dëm të të dëmtuarit A.A, në atë mënyrë që fillimisht e thërrasin të takohen, hyjnë në veturën e tij dhe kërkojnë nga i njëjti që të lëvizë në drejtim të parkingut të banesave.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë, më 14.02.2025.
Më tutje, sipas Prokurorisë së Gjilanit, në Aktakuzë thuhet se pasi i dëmtuari i ka kundërshtuar, i pandehuri A.I., nën kërcënimin e sëpatës, ndërsa i pandehuri E.D., nën kërcënimin e thikës, kanë arritur që të njëjtit nga qafa t’ia marrin zinxhirin e arit, kanë tentuar t’ia marrin edhe zinxhirin e dorës.
Më pas, në veturë kanë marrë një orë dore, kanë zbritur nga vetura e të dëmtuarit dhe janë larguar nga vendi i ngjarjes.
Të pandehurit A.I. dhe E.D., sipas njoftimit, në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “grabitja”.
Të njëjtit, sipas Kërkesës së Prokurorisë Themelore në Gjilan, gjenden në masën e paraburgimit, që nga data 19.01.2025.