Gjilan: AKP shet pronën për të cilën familja pretendon se është e tyre

Familja Rahimi nga fshati Malishevë i Komunës së Gjilanit, pretendon se Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP), ka shitur dy prona të kësaj familje në hapësirë dy hektarëshe.

 

Hamzë Rahimi, përfaqësues i familjes, ka thënë për KALLXO.com se i gjithë problemi ka filluar në vitin 1945, kur ish pushteti ia ka marrë pronën stërgjyshes së tij Sala Tahiri (Rahimit), pa pëlqimin e saj, dhe asnjëherë nuk i ka ofruar kompensim.

“Këtë prononcim po e bëjmë me rastin e marrjes së tokave apo pronës tonë nga stërgjyshja jonë në vitin 1945-46, kur me rastin e prurjes në fuqi ish pushteti, rregulloret apo ligjet mbi marrjen e tokave atëherë pa dëshirën e saj i është marrë edhe stërgjyshes sonë, përfaqësues për të cilën ne jemi këtu”, tha ai.

Sipas tij, kjo është një pronë stërgjyshore e familjes së tij, dhe AKP duhet ta ndaloj shitjen e kësaj prone.

“Problemi ynë me Agjencinë Kosovare të Privatizimit është se ne, konsiderojmë se kjo pronë është marrë pa pëlqimin e familjarëve tanë, pastaj ne prej viteve të 70-ta ne punojmë tokën deri në ditët e sotme, gjë për të cilën kemi edhe dëshmitarë”, ka thënë tutje ai.

Pronat për të cilat familja Rahimi pretendon se janë të sajat, janë nxjerrë në shitje nga AKP në vitin 2017, ndërsa janë shitur më 25 nëntor të vitit 2019.

Familja Rahimi, ka bërë një kërkesë në AKP që të anulohet likuidimi i pronës bujqësore.

Mirëpo në përgjigjen e tyre, AKP sqaron se ngastrat për të cilat familja Rahimi pretendon se janë të saj, janë nën pronësi të ndërmarrjes shoqërore “Agrokultura” në Gjilan, andaj edhe do ta vazhdojnë me procedurat e shitjes.

“AKP është e obliguar në bazë të ligjit që të ndërmarrë të gjithë hapat e nevojshëm dhe të zhvillojë procedurat për tenderim të hapur dhe transparent të këtyre aseteve të ndërmarrjes shoqërore KBI “Agrokultura” në Gjilan”, thuhet në përgjigjen e AKP.

Familja Rahimi rastin e ka dërguar deri në Gjykatën Supreme. Përmes një kërkese për caktimin e masës së siguresë, gjilanasit i kanë kërkuar Dhomës së Posaçme të Gjykatës Supreme të Kosovës që të bëjë sigurimin e këtyre pronave në atë mënyrë që AKP-së t`i pamundësohet shitja e tyre deri në një vendim meritor të gjykatës lidhur me këtë çështje.

Mirëpo Dhoma e Posaçme e ka hedhur poshtë kërkesën e familjes për caktimin e masës së sigurisë.

Sipas aktvendimit të Gjykatës, familja Rahimi nuk ka ofruar dëshmi të besueshme që do të arsyetonin lëshimin masës.

“Paditësi ka kërkuar caktimin e masës së sigurimit por nuk ka paraqitur e as pohuar asnjë rrethanë me të cilën do të vërtetohej fakti se paditësi do të pësoj dëme të menjëhershëm dhe të pariparueshme si dhe do të ketë ndonjë pasojë nëse nuk miratohet kërkesa e tij për masë të sigurisë”, thuhet në aktvendim.

Në këtë aktvendim të datës 18 dhjetorë 2019 Dhoma e Posaçme ka konstatuar se për shkak që prona nuk është shitur dhe vala e 49 e shitjes është refuzuar më 2 shtator ende nuk ka rrezik të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm.

Gjykata ka sugjeruar familjen Rahimi se ata mund të bëjnë edhe një kërkesë të re për masë të përkohshme nëse AKP ndërmerr veprime.

Ndaj këtij vendimi familja Rahimi ka ushtruar ankesë në Kolegjin e Apelit të Dhomës Posaçme.

KALLXO.com ka kontaktuar Gjykatën Supreme, Vullnet Sokoli zyrtar nga kjo Gjykatë ka konfirmuar se lënda është duke u shqyrtuar.

“Aktvendimi për refuzimin e masës së përkohshme me nr.C-III-18-0045 të datës 17.12.2019,  pala ka ushtruar ankesë me datë 06.01.2020 në Kolegjin e Apelit të Dhomës Posaçme e cila është regjistruar me numër AC-I-20-0001 lënda i është ndarë gjyqtarit të apelit dhe është  duke u proceduar’, thuhet në përgjigje.

Në anën tjetër zyrtarë të AKP–së kanë konfirmuar për KALLXO.com më 25 nëntor 2019 pronat në hapësirë prej 2 hektarëve 43 ari dhe 34 metra katrore për të cilat familja Rahimi pretendon se janë të saj, janë shitur, dhe kjo shitje është miratuar edhe nga Bordi i AKP-së.