Spitali Regjional i Gjilanit Foto: KALLXO.com

Gjilan, 20 pacientë me COVID-19 me oksigjenoterapi, pesë të tjerë me CPAP

Në Spitalin Rajonal të Komunës së Gjilanit janë duke u trajtuar 30 pacientë me coronavirus, prej tyre 20 janë duke u asistuar me oksigjenoterapi.

Këtë për KALLXO.com e ka konfirmuar drejtori i Spitalit, Nysret Hajrullahu.

Tutje, ai ka treguar se pesë pacientë janë duke u asistuar me maskën CPAP.

Sa i përket furnizimeve, Hajrullahu, thotë se janë të furnizuar mjaftueshëm.

“Kemi maska, dorëza, mantela e dezinfektues mjaftueshëm”, është shprehur tutje drejtori.

Përveç furnizimit të mjaftueshëm me masa mbrojtëse për COVID-19, drejtori thotë se janë të furnizuar edhe me respiratorë, tetë respiratorë janë në total në Spitalin e Gjilanit, dhe fatmirësisht nuk ka asnjë pacient i cili është duke u asistuar me respiratorë.

Sot në Gjilan janë regjistruar edhe katër raste të reja me coronavirus, sipas Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike.

Kujtojmë se Komuna e Gjilanit është në mesin e komunave me më së shumti raste aktive me COVID-19.

Tash e gjashtë muaj në nivel vendi janë regjistruar 14,763 raste me COVID-19, 11,784 janë shëruar ndërsa 601 kanë vdekur.