Fletoret e listave të pritjeve në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës. Foto: Zyra Kombëtare e Auditimit.

Gjetjet e Auditorit për listat e pritjes nuk e çudisin menaxhmentin dhe bordin e SHSKUK-së që ishin në dijeni për problemet

Shpërndarja jo e duhur e burimeve njerëzore, mungesa e materialit mjekësor, menaxhimi i gabuar i tyre, pajisjet e vjetruara e mungesa e një sistemi formal të regjistrimit të pacientëve, janë disa prej problemeve që ndikojnë në krijimin e listave të gjata të pritjeve për pacientët, sipas Auditorit të Përgjithshëm.

Por, këto gjetje nuk çuditën menaxhmentin dhe bordin e Shërbimit Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës (SHSKUK), të cilët veçse kishin evidentuar shumicën e këtyre problemeve.

“Raport mjaft i qëlluar, që ka prekur pika reale. Më gëzon fakti që mbi 99 për qind të gjetjeve bordi veçse i kishte gjetur dha ka dhënë rekomandime për to” – tha kryesuesi i bordit, Dren Boshnjaku, në mbledhjen e mbajtur sot, më 04.09.2024.

Boshnjaku dhe anëtarja Tetore Olloni thanë se është shqetësuese të ketë lista të pritjes.

Kryesuesi u shpreh i shqetësuar edhe me numrin e ulët të disa operacioneve dhe tha se nëse nuk përmirësohet perfomanca për një kohë të caktuar do të marrin masa.

raport janë të përfshira edhe disa fotografi të fletoreve dhe shënimeve në të cilat regjistrohen pacientët nëpër lista të pritjeve, disa prej të cilave janë të gjata deri në katër vite.

Listat e pritjeve në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës. Foto: Zyra Kombëtare e Auditimit.
Fletoret ku regjistrohen listat e pritjeve në Shërbimin Spitalor Klinik e Universitar të Kosovës. Foto: Zyra Kombëtare e Auditimit.

“Sa i përket listave të pritjes, ato nuk regjistrohen si duhet në asnjë klinikë dhe asnjë spital. Ato regjistrojnë pacientët e listës së pritjes në një fletore të thjeshtë apo vetëm në fleta të bardha të cilat pastaj i hedhin si mbeturina. Disa klinika në QKUK, të dhënat nga fletoret i regjistrojnë pastaj në mënyrë elektronike, në Excel” – thuhet në raport.

Sipas Auditorit, regjistrimi në mënyrë manuale dhe pa rregulla të caktuara krijon shumë paqartësi dhe mundësi për gabime.

Drejtori financiar i SHSKUK-së, Enver Gashi, e pa me një këndvështrim më pozitiv këtë raport të mbushur me kritika.

“Dokument mëse i nevojshëm, ku ka edhe shumë lëvdata edhe përmirësime. Ka lëvizje të dukshme pozitive krahasuar me vitet e kaluara” – tha Gashi, i cili shtoi se janë në pritje të krijimit të një grupi punues nga Ministria e Shëndetësisë për të adresuar rekomandimet.

Raporti konstaton se Ministria dhe SHSKUK-ja nuk kishin krijuar kushtet e duhura për ofrimin e trajtimit të pacientëve në kohë optimale.

Një prej faktorëve kontribues në rritjen e numrit të pacientëve në lista të pritjes është evidentuar të jetë mungesa e ekspertizës së mjekëve në fusha të caktuara, duke ngarkuar kështu Qendrën Klinike dhe Universitare të Kosovës (QKUK), si qendër referente.

“Spitalet rajonale nuk kanë kërkuar trajnime për stafin e tyre tek Ministria/ ShSKUK-ja e as kjo e fundit nuk ka ndërmarrë iniciativë për t’ua ofruar ekspertizën e nevojshme, qoftë përmes trajnimeve qoftë përmes mbështetjes me staf nga klinikat, në mënyrë që një pjesë të ngarkesës që e kanë klinikat në QKUK ta bartin tek spitalet rajonale” – thuhet më tej.

Auditimi ka gjetur se numri i ortopedëve në raport me sallat operative është 9 me 1, ndërsa numri i kardiologëve invazivë është 8 me 1.

Në së paku 4 klinika, Auditori ka gjetur raste ku një kirurg ka kryer rreth 500 operacione në vit, ndërsa kanë kolegë që kanë kryer vetëm nga një operacion në vit.

Kryesuesi Boshnjaku sot tha se 40 për qind e listës në Ortopedi dhe në Kardiologji Invazive janë reduktuar dhe rifreskuar.

“Sepse s’ka pasur njeri që është marrë me to, fletoret s’kanë pasur kurrfarë kriteri. Mendoj se si çështje jo vetëm që është adresuar por është në proces të përfundimit” – tha ai.

Besa Balidemaj si përfaqësuese e Ministrisë në bord tha se Ministria ka hartuar planin strategjik për burime njerëzore dhe se procese të tilla marrin kohë, që “ndonëse duket që s’po bëhet asgjë, në fakt po bëhet shumë”.

Edhe drejtori i SHSKUK-së, Elvir Azizi, tha se kanë filluar punën për të ofruar disa shërbime të reja nëpër spitalet rajonale, që do të zvogëlonin listat e pritjes në QKUK.

Raporti përmend edhe numrin e pamjaftueshëm të anesteziologëve si një faktor të rëndësishëm në krijimin e listave të pritjes.

Drejtori Azizi tha se edhe pse kanë mungesë të anesteziologëve, mund të bëhet punë më e madhe edhe me këtë numër të anesteziologëve.

“Me një riorganizim pak më të mirë, mundemi me e përmirësu. Jemi duke punu në atë aspekt. Problemi i anesteziologëve deri vitin e ardhshëm ka me na mbetë, kur të specializojnë një numër i kënaqshëm i specializantëve” – tha Azizi.

Ky raport po ashtu thotë se përpjekjet e Ministrisë së Shëndetësisë për të përgatitur mjekë të rinj përmes specializimeve kanë qenë joefektive dhe se ajo nuk ka ofruar mbështetje të mjaftueshme as për edukimin dhe trajnimin e vazhdueshëm të stafit shëndetësor, për t’u siguruar që ata janë të përditësuar me përparimet dhe praktikat e fundit mjekësore.