Gjetjet e Auditorit - OJQ-të morën subvencione në kundërshtim me kriteret nga Komuna e Drenasit

Në tre raste, Zyra Kombëtare e Auditorit ka gjetur se organizata joqeveritare në fushën e sportit kanë përfituar subvencione nga Komuna e Drenasit pa paraqitur dëshmi se gjatë një viti është marrë me organizimin e ngjarjeve kulturore, rinore ose sportive.

Përveç kësaj, ZKA ka gjetur se OJQ-të nuk kanë paraqitur dëshminë nëse kanë qenë përfitues të mjeteve financiare të ndara nga Komuna e Drenasit dhe të njëjtat mjete i ka justifikuar duke paraqitur raportin financiar dhe narrativ.

Në raportin e auditimit për vitin 2021 thuhet se përveç mungesës së dëshmive, OJQ-të kishin dorëzuar projektin dhe formularin e buxhetit të pa plotësuar/përgatitur, ku në projekt kishin paraqitur vetëm informatat e OJQ-së dhe në buxhet vetëm një shumë totale pa e ndarë në llojet e kostove.

ZKA thotë se kjo ka ndodh si pasojë e vlerësimit jo të duhur sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike nga komisioni i vlerësimit.

“Sipas thirrjes publike nr. 400/01-29622 të dt. 02.07.2020 për ofrimin e mbështetjes financiare për fushën e kulturës, rinisë dhe sportit, ishte kërkuar kriteri për aplikim se “OJQ-ja aplikuese duhet të paraqesë dëshmi se gjatë një viti është marrë me organizimin e ngjarjeve kulturore, rinore ose sportive, si dhe nëse ka qenë përfituese e mjeteve financiare të ndara nga Komuna e Gllogocit, të njëjtat mjete i ka justifikuar duke paraqitur raportin financiar dhe narrativ “. Po ashtu, në thirrjen publike për aplikim, është kërkuar që të përgatitet projekti dhe formulari i buxhetit”, thuhet në raportin e Auditorit për vitin 2021.

Përzgjedhja e përfituesve në kundërshtim me kriteret, ZKA thotë se mund të dëmtoj kredibilitetin e procesit dhe mund të rezultojë që komuna të bashkëpunon me OJQ/individë të pa përshtatshëm. Kurse mos përgatitja e projektit dhe buxhetit, rritë rrezikun që OJQ të përdorin mjetet nga subvencioni jo për qëllimin e paraparë.

Si rrjedhojë, është rekomanduar kryetari që të sigurojë se subvencionet ndahen në përputhje me kriteret e vendosura në thirrje publike dhe të siguroj se OJQ-të të mos përfitojnë subvencione pa i plotësuar/pagatitur projektin dhe formularin e buxhetit.