Gjetjet dhe rekomandimet e Auditorit në Vushtrri, Tahiri thotë se kompanitë po ia vonojnë realizimin e punëve

Në ambientet e Kuvendit Komunal të Komunës së Vushtrrisë, sot është mbajtur debat për gjetjet dhe rekomandimet e bëra nga ana e Zyrës Kombëtare të Auditimit në këtë komunë për vitin 2020.

Visar Prebreza nga Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) tha se Komuna e Vushtrrisë ka zbatuar vetëm 6 rekomandime nga 19 sa i kishte në vitin 2019.

“Zakonisht e krahasojmë komunën edhe veti me veti dhe Vushtrria vit pas viti ka pranuar më pak rekomandime se sa komunat e tjera. Nëse e shohim prej nivelit të rekomandimeve dhe prej vitit 2019 nga 19 rekomandime, tash ka ra në 14 dhe është një far përmirësimi. Sa i përket zbatimit të rekomandimeve, prej 19 që i kanë pranuar në vitin 2019 i ka zbatu vetëm 6, ndërsa tri të tjera kanë qenë në proces të zbatimit, kurse në 10 rekomandime s’janë zbatuar, disa kanë qenë të pa aplikueshme siç është cekur në raport”, tha Prebreza.

Ndërsa, kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri tha se këtë vit kanë pasur tri rekomandime më pak dhe sipas tij totali i zbatimit është 48%.

“Këtë vit kemi tri rekomandime më pak, por kemi rritje edhe të rekomandimeve të zbatuara. Nëse marrim në tërësi të zbatuara dhe ato që janë në zbatim totali është 48%. Nëse hekim edhe dy rekomandime që janë të pa zbatuara do të dilte bi 50% dhe do të ishte  Janë disa rekomandime që edhe po duam ti zbatojmë praktikisht është e pamundur, ajo që ka të bëjë me kontratën kolektive në arsim sidomos. Vitin e kaluar, komunës sonë për shkak të një kontrate të cilën se ka lidh komuna, por Ministria, i janë marrë 1,4 milionë euro buxhet përmes përmbaruesve dhe gjykatave, edhe pse kemi shpreh gatishmëri dhe nuk na është lejuar nga Ministria e Financave për shkak të rregullave buxhetore”, tha Tahiri.

Sipas tij, Ligji i Prokurimit Publik duhet të ndryshohet, pasi sipas tij, një kompanie i lejohet të marrë shumë tenderë në shumë komuna dhe nuk po kryhen të gjitha punimet me kohë.

“Janë disa çështje që janë probleme strukturale nga ligji i prokurimit publik që janë jashtë dorës tonë për tu adresuar. Ta zëmë që na përkthehen në menaxhim të kontratave. Ligji i prokurimit publik ia lejon një operatori ekonomik që me të njëjtit njerëz, me një bager, më një ekskavator t’i merrë 5 kontrata të punës në krejt Kosovën, është e pamundur mi zbatu ky operator 5 kontratat të njëjtën kohë, Vushtrri Skenderaj, Prishtinë, Suhareke për shembull. S’mundet. Por, ne si komunë s’mundemi me eliminuar këtë operator për këtë arsye nga procesi i tenderimit”, tha Tahiri.

Xhaferi po ashtu tha se ky ndryshim i ligjit të prokurimit, po ashtu e rrit punësimin formal.

“Kështu që komunat hezitojnë mi shkëput kontratat sepse duhen 6 muaj me ardhë deri tek një kontratë dhe kur ky operator vonohet dhe ne e shkëpusim, mbet projekti pa u realizu hiq dhe ky është një problem struktural i ligjit që unë besoj që bashkë me BIRN dhe me organizatat tjera që janë në funksion për transparencë dhe llogaridhënie do të mund ta ndryshojmë tek Ligji i Prokurimit Publik dhe kjo e rrit punësimin në Kosovë sepse një kompani me të njëjtët njerëz nuk aplikon në shumë komuna, por i ndanë njerëzit për komuna”, tha ai.

Ai shtoi se edhe pandemia COVID-19 ka ndikuar në mos zbatim të projekteve ose në vonesa.

“Qe dy vite procesi i rekrutimit ka qenë i bllokuar në Kosovë dhe s’kemi mundur të angazhojmë staf për menaxhim të kontratave pasi që ligji për shërbyes civil ka qenë në shqyrtim dhe për zyrtar publikë dhe s’kemi mundur fare të rekrutojmë staf për menaxhim të kontratave dhe një problem tjetër i vonesë të zbatimit të projekteve është pandemia COVID-19 dhe mendoj se nuk do të duhej të futeshin fare kësaj radhë në raport të aludimit”, tha Xhaferi.

“Kemi shqiptuar gjoba ndaj në vitin 2020 është më së shumti gjoba kontraktuale ndaj operatorëve ekonomik dhe e njëjta vlen edhe në vitin 2019 dhe nëse kontrollon të gjitha organizatat buxhetore, Vushtrria është që më së shumti shqipton, kemi shkëputje të kontratave për mos realizim, por keni parasysh por çdo herë shkëputja përfundon në gjykatë. Ne s’kemi humbur për këto tri vite në gjykatë për këto raste, por ende ekziston rreziku”, shtoi ai më tej.

Xhaferi po ashtu tha se komuna e tij është komuna e vetme që ka zyrën e prokurimit në monitorim të kamerave.

“Komuna e Vushtrrisë është komuna e vetme që i ka bërë komplet transparente kontratat në prokurimin publik, këto kontrata janë në platformë dhe uebfaqe të komunës dhe çdo gjë është në platformë. Krejt procesi i prokurimit, në zyrën e prokurimit monitorohet nga kamera dhe është një proces transparent, ku secili mund të ketë qasje dhe mund të shoh në kohë reale edhe procesin e vlerësimit e të tjera sa i përket prokurimit. Ndoshta është e vetmja zyre në krejt Kosovën që është pajisur me kamerë dhe çdo gjë bëhet me kamerë me qëllim të rritjes së transparencës”, tha ai më tej.

Zukë Zuka nga ZKA tha se në rastin e pagave jubilare komuna e Vushtrrisë ka bërë disa prapësime për çështje të dërguara në Gjykata.

“Përveç se opinioni është i pamodifikuar, theksimi i çështjes tregon se në raportin e auditorit nuk e kanë ndikuar raportin e auditimit. U përmend se në theksimin e çështjes ka keqklasifikime në investimet kapitale, subvencione dhe paga, desha të shtoj këtu se komuna në rastin e pagave se komuna ka bërë përpjekjet e saj prapësime, ka kërkuar edhe nga Ministria e Financave dhe ne i kemi marrë dëshmitë me këto pagesa dhe është një vlerë e madhe dhe po e përmendi që s’jam ndikuar sepse është një çështje që nuk është vetëm të komuna e Vushtrrrisë, por kjo është edhe tek komunat e tjera. Por ka edhe që komuna duhet ti menaxhojë siç janë në rastin e planifikimit të buxhetit”, tha Zuka.

Ai po ashtu tha se komuna ka edhe vetëm një drejtor dhe auditor të brendshëm dhe sipas ligjit varësisht prej buxhetit të ketë numrin e auditorëve.

Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese (BIRN) me mbështetjen e USAID për Komuna Transparente, Efektive dhe Llogaridhënëse organizuan debatin për gjetjet e auditorin në Komunën e Vushtrrisë.

Premtimet e kryetarit të Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, të dhëna në debat:

– Ne i kemi pranuar rekomandimet, kemi bërë planin e veprimit për t’i adresuar këto rekomandime. Plani do të vihet në diskutim në Kuvendin e Komunës së Vushtrrisë, mbas aprovimit plani do të bëhet plan i punës, i zyrtarëve në këtë Komunë për t’i plotësuar në plotni këto rekomandime.

– Stadiumi i futbollit në fshatin Dobërllukë, ku në vend të tjegullave operatori ka vendosur llastër dhe projekti nuk është pranuar teknikisht ende dhe në bazë të të gjeturave të raportit të auditimit dhe komplet ekipi që bënë planin e veprimit së bashku me mua (kryetarin) kemi nënshkruar një urdhëresë për operatorin ekonomik që t’i vendos tjegullat që pastaj të pranohet projekti teknikisht.

– Kur të vijë vlerësimi i raportit të auditimit 2021 do të gjejë nëse punësimet janë bërë në bazë të ligjit apo jo, unë e di që janë bërë në bazë të ligjit dhe do ia lejmë raportit të auditimit për vitin 2021.

– Qëllimi ynë është të përmirësohen këto procese të punës duke hequr dyshimet dhe ne jo vetëm sot por edhe dhjetë herë për secilin rekomandim jemi të gatshëm të diskutojmë në funksion të transparencës.

– Kushdo që e ka shkelur ligjin, duhet të përgjigjet dhe do të përgjigjet para ligjit.

– Ne do t’i bëjmë publike edhe dënimet që ia kemi shqiptuar kompanive, edhe shkëputjet e kontratave do t’i bëjmë publike në faqe të Komunës dhe time (kryetarit).