"Gjetëm kazmë, lopatë dhe rroba me njolla gjaku", zbardhet vrasja e 8-vjeçarit në Fier

Policia e Fierit në një njoftim për media ka dhënë të gjitha informacionet për ngjarjen e rëndë, atë të vrasjes së 8-vjeçarit Mateo Vasiu, raporton Top Channel.

Policia thotë se pasi ka marrë telefonatë nga F. V., se djali i saj i mitur i vitlindjes 2013, kishte dalë që në orën 08:00 nga shtëpia dhe nuk ishte kthyer më në banesë janë organizuar për kërkimin dhe gjetjen e djalit të mitur.

Pas vlerësimit të provave e pas kontrollit në ambientet e banesës së shtetasit Klodian Çalamani, policia ka gjetur trupin e pajetë të fëmijës së dyshuar i humbur, i mbuluar me baltë në oborrin e banesës së Klodian Çalamanit.

“Shërbimet e Policisë menjëherë kanë bërë kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar, në Komisariatin e Policisë Fier dhe nën drejtimin e Prokurorisë u kryen veprimet procedurale për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe motiveve të saj.

Shtetasi Klodian Çalamani dyshohet se e ka goditur me send të fortë (kazmë) në kokë, fëmijën e mitur dhe më pas e ka groposur atë në oborrin e banesës së tij.

Nga këqyrja e vendit të ngjarjes u gjetën dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale: një lopatë, një kazmë, një biçikletë, rroba të autorit dhe njolla gjaku, të cilat u dërguan për ekzaminime të mëtejshme në Institutin e Policisë Shkencore Tiranë.

Në vijim të veprimeve hetimore, specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda në DVP Fier kanë bërë arrestimin në flagrancë të shtetasit Klodian Çalamani, 38 vjeç, për veprën penale “Vrasja në rrethana cilësuese, ndaj të miturit”. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier. Nga ana e grupit hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet për të sqaruar me detaje motivet e kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftim.