Gjermania thërret takimin e G7-ës për të folur për Ukrainën

Me ftesë të Gjermanisë, vendet anëtare të G7-ës pritet të mblidhen javën e ardhshme në Bukuresht të Rumanisë, për të “iniciuar mbështetje të mëtejshme për furnizim me energji elektrike për Ukrainën”.

Kështu tha ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, e cila i ka quajtur sulmet ajrore ruse në infrastrukturën ukrainase “krim të patolerueshëm dhe çnjerëzor”.

Ajo tha se presidentit rus, Vladimir Putin, “po i pëlqen të zhysë popullin e Ukrainës në të ftohtë dhe në errësirë me raketat e tij”, por që sipas saj, ai nuk mund ta zmbrapsë dëshirën e ukrainasve për liri, dhe mbështetjen e perëndimit për ta.

Sulmet ajrore ruse goditën Ukrainën, më 23 nëntor, ku shumica e qyteteve mbetën pa energji elektrike, përfshirë Kievin.

Gjithashtu, Rusia ka goditur rrjetin elektrik të Ukrainës dhe pjesë tjera infrastrukturore përmes sulmeve ajrore qe disa javë rresht.

Grupi i shtatë vendeve më të industrializuara (G7) përbëhet nga: Shtetet e Bashkuara, Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca, Italia, Kanadaja dhe Japonia./REL