Gjermania pritet të heqë obligimin e bartjes së maskave gjatë fluturimeve
Gjermania së shpejti do të heqë obligimin e bartjes së maskave gjatë fluturimeve e cila ishte prezantuar si një ndër masat kundër COVID-19, raporton Reuters.
Kjo pasi kompania e fluturimeve “Lufthansa” u ankua se kjo masë nuk ishte më e zbatueshme.
Autoritetet, në vend të kësaj do të përqendrohen në sigurimin që njerëzit të vendosin maskën në transportin publik në Gjermani, ka thënë ministri i Shëndetësisë, Karl Lauterbach, pasi qeveria e koalicionit ka rënë dakord të shfuqizojë masën.
Gjermania është e përgatitur për një rritje të mundshme të rasteve këtë vjeshtë, sipas ministrit, i cili tha se rregullat e vendosjes së maskave mund të kthehen në disa hapësira të brendshme ose të jashtme nëse infeksionet rriten.
Pronarëve të restoranteve dhe organizatorëve të eventeve mund t’u kërkohet gjithashtu të kufizojnë përsëri numrin e të ftuarve.