Christian Heldt - Albin Kurti

Gjermania mirëpret vendimin e Qeverisë për heqjen e tarifës 100%

Ambasadori gjerman Christian Heldt ka folur për vendimin e Qeverisë së Kosovës për të hequr tarifën prej 100% ndaj produkteve të Serbisë dhe të Bosnja-Hercegovinës.

Përmes një postimi në Twitter ambasadori i Gjermanisë në Kosovë tha se heqja e tarifës prej 100% është një parakusht i rëndësishëm për rifillimin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjermania mirëpret vendimin e Qeverisë në detyrë të udhëhequr nga kryeministri Albin Kurti për të hequr plotësisht tarifat ndaj mallrave nga Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina, të vendosura më 2018. Ky është një parakusht i rëndësishëm për rifillimin e dialogut. Qëllimi tani është që të rindërtohet besimi në mënyrë që procesi i drejtuar nga BE të fillojë shpejt”, ka shkruar ambasadori Heldt në Twitter.

Qeveria e Kosovës, më 31 mars hoqi tarifën prej 100% ndaj mallrave të Serbisë dhe të Bosnjë-Hercegovinës.

Po ashtu, më 31 mars, Qeveria e Kosovës vendosi masat e reciprocitetit ndaj Serbisë.