Gjermania kërkon zgjatjen e funksionimit të tre centraleve bërthamore

Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka kërkuar ministrive të ekonomisë, mjedisit dhe financave të përgatisin kuadrin ligjor për të mbajtur në funksion tre centralet bërthamore të vendit deri në 15 prill 2023, njoftoi agjencia ‘Reuters’ të hënën.

Gjermania kishte planifikuar të ndërpriste energjinë bërthamore deri në fund të këtij viti, por për shkak të kolapsit të furnizimet me energji nga Rusia, si pasojë e luftës në Ukrainë, ka bërë që qeveria të mbajë dy centrale në gatishmëri.

Mosmarrëveshjet e gjata brenda koalicionit qeverisës lidhur me të mirat dhe të metat e energjisë bërthamore vonuan zbatimin e një projektligji për t’i mbajtur në punë impiantet, përtej ndërprerjes së planifikuar për në fund të këtij viti.

Projektligji parashikonte mbajtjen në funksion të impjanteve Isar II dhe Neckarwestheim II, por ministri i Financave Christian Lindner ka kërkuar që të mbahet në përdorim deri në pranverë të 2023 edhe centrali i tretë, Emsland. Për këtë ka rënë dakord edhe ministri i Ekonomisë, Robert Habeck, edhe pse partia e tij, Partia e Gjelbër ka mbajtur historikisht qëndrim anti-bërthamor.

“Do doja që ndryshimet ligjore t’i paraqiteshin kabinetit sa më parë të ishte e mundur” shkruante kancelari Scholz në letrën e së hënës.

Zoti Scholz kërkoi gjithashtu që ministritë të paraqesin një ligj “ambicioz” për të rritur efektshmërinë e energjisë dhe për të miratuar një marrëveshje për të pakësuar gradualisht, deri ne heqjen fare nga përdorimi të qymyrit, deri në 2030./VOA