Foto: Denis Sllovinja

Gjermania jep edhe 12 miliardë euro ndihmë ushtarake për Ukrainën

Qeveria gjermane ka rënë dakord që të dërgojë 12 miliardë euro shtesë mbështetje ushtarake për Ukrainën.

Komisioni për Buxhet i Bundestagut gjerman dha dritën e gjelbër më 29 mars për shpenzimet e pabuxhetuara.

Financimi shtesë përfshin 3.2 miliardë euro që do të disbursohen në vitin 2023, dhe linja krediti për periudhën 2024 -2032 që arrijnë vlerën në rreth 8.8 miliardë euro.

“Me paratë, Ukraina mund të blejë drejtpërdrejt armatim me mbështetjen e qeverisë gjermane”, thanë në një deklaratë tre politikanë që përfaqësojnë Qeverinë në këtë komision.

Një muaj më parë, kancelari gjerman, Olaf Scholz, tha se mbështetja e shtetit të tij për Ukrainën “është e dizajnuar që të jetë afatgjatë”.

Të hënën, Gjermania ia ka dorëzuar Ukrainës 18 tanke Leopard 2 – që cilësohet si “tanku më i mirë në botë për betejë”, i cili për gati gjysmë shekulli ka kombinuar aspektet e fuqisë, mbrojtjes, shpejtësisë dhe manovrueshmërisë, duke e bërë atë të përshtatshëm për shumë lloje të situatave të luftimit.

Ky shtet, më 25 janar, pas një beteje të gjatë politike të brendshme, u pajtua për të dërguar tanke Leopard 2 në Ukrainë dhe për të lejuar vendet e tjera evropiane të dërgonin të tyret, pas disa javësh debat intensiv dhe presion në rritje nga aleatët.

Edhe shtetet e tjera evropiane i kanë premtuar Ukrainës tanket Leopard 2. Ndërkaq, Shtetet e Bashkuara janë zotuar se do të dërgojnë në Ukrainë tanket e fuqishme Abrams./REL