Ilustrim, Foto: Euronews

Gjermania heton spiunazhin e dyshuar rus në Bazat e saj Ushtarake

Policia gjermane tha se ka nisur një hetim për rastet e dyshuara të spiunazhit rus, pasi disa dronë u vunë re mbi disa instalime ushtarake në Bavari.

Në vazhdën e luftës së Rusisë në Ukrainë, nuk përjashtohet mundësia që instalimet ushtarake gjermane dhe kompanitë e mbrojtjes, të jenë duke u spiunuar nga dronët – tha Zyra Shtetërore e Hetimit Kriminal e Bavarisë.

Incidenti i fundit ndodhi të dielën vonë, kur një dron u pa mbi një Bazë Ushtarake pranë Manhingut – tha Policia, duke iu referuar një objekti të gjerë, ku forcat gjermane testojnë avionë të rinj me pilot dhe pa pilot.

Dronët mbi këtë Bazë u panë edhe gjatë tri ditëve në dhjetor – sipas Policisë.

Një tjetër fluturim i paautorizuar ndodhi po atë muaj, edhe mbi një instalim ushtarak në Nojburg an der Donau.

Policia federale e Gjermanisë, Bundeskriminalamt, i paralajmëroi kompanitë në dhjetor se mund të kenë sabotues rusë në mesin e punonjësve dhe kontraktorëve të tyre.

Rusia i mohoi këto akuza.

Kreu i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme të Gjermanisë, Bruno Kahl tha muajin e kaluar se aktet e sabotimit të Rusisë kundër objektivave perëndimore mund ta shtyjnë NATO-n të thirret në Nenin 5 të Traktatit të Mbrojtjes.

Sipas këtij Neni, nëse një anëtar i NATO-s sulmohet, anëtarët e tjerë të Aleancës janë të detyruar ta ndihmojnë atë që të përgjigjet./REL