Gjermania heq Kosovën nga Lista e Shteteve për Verifikimin e Sigurisë

Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë nga 24 janari i vitit 2020 ka hequr Republikën e Kosovës nga Lista e Shteteve për Verifikimin e Sigurisë të njohur ndryshe edhe si SÜG (Sicherheitsüberprüfungsgesetz).

Kështu ka bërë të ditur kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ku tha se me këtë vendim Kosova dhe Gjermania janë më afër se asnjëherë më parë.

“Vendimi që Qeveria e Republikës Federale të Gjermanisë nga 24 Janari i vitit 2020 ka hequr Republikën e Kosovës nga Lista e Shteteve për Verifikimin e Sigurisë të njohur ndryshe edhe si SÜG (Sicherheitsüberprüfungsgesetz) është një lajm i mrekullueshëm dhe i rëndësisë së veçantë për Kosovën, Gjermaninë dhe shtetasit e dy vendeve”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka shtuar se ky vendim hap një kapitull të ri të marrëdhënieve bilaterale mes vendeve dhe thellon raportet ndërshtetërore.

“Faleminderit Qeverisë gjermane, organeve të sigurisë dhe Kancelares Merkel”, ka shtuar në fund Haradinaj.