Gjermania hedh poshtë kritikat ndaj alarmeve për përmbytje

Qeveria e Gjermanisë iu përgjigj kritikave për sistemet e saj të paralajmërimit, pasi përmbytjet më të këqija në disa dekada lanë së paku 160 njerëz të vdekur, javën e kaluar.

Mbi 170 të tjerë vazhdojnë të mbeten ende të zhdukur.

Partia e Gjelbër opozitare tha se katastrofa tregoi se Gjermania duhet të përgatitet më mirë për motin ekstrem.

Por, ministri i Brendshëm, Horst Seehofer, i mbrojti veprimet e Qeverisë.

Komunitetet lokale duhet të vendosin se si të përgjigjen, tha ai.

Nën sistemin politik të Gjermanisë, landet rajonale janë përgjegjëse për veprimet në situata emergjente.

“Do të ishte krejt e pakonceptueshme që një katastrofë e tillë të menaxhohej nga një vend”, tha Seehofer.

Sipas tij, kritikat janë një “retorikë e lirë zgjedhore”.

Gjermania voton në shtator për të zgjedhur pasardhësen e kancelares Angela Merkel.

Merkel do të pensionohet pas 16 vjetësh në pushtet./REL