Gjermania e Danimarka mund të shtyjnë dozën e dytë të vaksinës
Gjermania dhe Danimarka po shqyrtojnë mundësinë e shtyrjes së dhënies së dozës së dytë të vaksinës kundër COVID-19 të kompanive BioNTech dhe Pfizer për të përmirësuar furnizimin me vaksina. Një lëvizje të ngjashme e bëri edhe Britania e Madhe, javën e kaluar.
Në Berlin, Ministria e Shëndetësisë po kërkon pikëpamjen e një komisioni të pavarur nëse do të vonojë dhënien e dozës së dytë, përtej një maksimumi prej 42-ditësh të parashikuar, sipas një dokumenti të parë nga Reuters të hënën.
Dokumenti pason kritikat gjatë fundjavës të Ministrit të Shëndetësisë, Jens Spahn – përfshirë edhe aleatët e tij politikë konservatorë – se Gjermania nuk ka arritur të sigurojë mjaft vaksina dhe ka qenë shumë e ngadaltë në fushatën e saj të vaksinimit.
Masa e Britanisë së Madhe për të vonuar administrimin e një doze të dytë është mirëpritur nga një numër i ekspertëve gjermanë të shëndetit dhe vjen ndërsa qeveritë përpiqen të sigurojnë mbrojtje ndaj koronavirusit për sa më shumë njerëz duke u dhënë atyre një dozë, sa më shpejt të jetë e mundur, dhe duke vonuar të dytën.
“Për shkak të mungesës aktuale të vaksinave dhe numrit shumë të lartë të të infektuarve dhe shtrimeve në spital (në Gjermani), është më efektive një strategji, përmes së cilës sa më shumë njerëz vaksinohen sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Leif-Erik Sander, kreu i ekipit kërkimor të vaksinave në spitalin Charite të Berlinit.
Sipas përditësimit të fundit nga Instituti Robert Koch, Gjermania ka vaksinuar rreth 239,000 njerëz që nga fillimi i fushatës së saj më 27 dhjetor.
Si krahasim, Britania e Madhe ka administruar mbi një milion vaksina deri më tani, më shumë sesa pjesa tjetër e Evropës së bashku, tha të hënën Ministri i Shëndetësisë, Matt Hancock.
Një punëtore shëndetësore në Hungari përgatitet të administrojë vaksinën kundër koronavirusit më 27 dhjetor.
Autoritetet shëndetësore daneze gjithashtu po shqyrtojnë mundësinë e zgjatjes së hendekut kohor midis dy dozave të vaksinave.
Ministria e shëndetësisë po konsideron një interval prej 3 deri në 6 javë, njoftoi gazeta Ekstra Bladet, duke cituar burime.
Në provat klinike të kompanive të vaksinave nuk është testuar një interval më i gjatë midis dy dozave të vaksinave.
Agjencia Reuters raporton se disa shkencëtarë kanë thënë se shtyrja e dhënies së dozës së dytë të vaksinës ishte një plan i arsyeshëm duke pasur parasysh rrethanat e jashtëzakonshme./REL