Gjermania do të izolohet nga e mërkura deri më 10 janar si pasojë e COVID-19

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, ka njoftuar për një izolim kombëtar nga e mërkura për të luftuar numrin në rritje të rasteve të COVID-19.

Dyqanet joesenciale dhe shkollat do të mbyllen sipas kësaj mase e cila do të zgjasë deri më 10 janar, raporton BBC.

Kancelarja Merkel ka njoftuar për këtë vendim pas takimit me udhëheqësit e 16 landeve të vendit, kur tha se ka “një nevojë urgjente për të ndërmarrë veprime”.

Kohët e fundit ka pasur rritje rekord të numrit të personave të vdekur brenda një dite nga COVID-19.

Shifrat e fundit zyrtare treguan për 20,200 persona të tjerë të infektuar, duke e çuar totalin e Gjermanisë deri më tani në më shumë se 1,3 milion.

Restorantet dhe baret tashmë janë mbyllur në gjashtë javët e fundit dhe disa zona të vendit kishin vendosur bllokimet e tyre.

Nën bllokimin kombëtar, dyqanet me produkte esenciale, të tilla si ato që shesin ushqime, do të qëndrojnë të hapura, ashtu si edhe bankat.

Shtëpitë e kujdesit do të jenë të mandatuara të kryejnë teste të COVID-19.

Ngjarjet e Vitit të Ri dhe shitja e fishekzjarreve do të ndalohen.