Pamje nga Takimi Kurti - Rohde. Foto: Facebook/LVV

Gjermania dhe Franca bëjnë thirrje për formim sa më të shpejtë të qeverisë dhe zgjedhjes së presidentit

Në emër të Gjermanisë dhe Francës, ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, ka bërë thirrje për formim sa më të shpejtë të qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit pas finalizimit të rezultateve të zgjedhjeve.

“Gjermania dhe Franca përgëzojnë qytetarët e Kosovës, Albin Kurtin, Lëvizjen Vetëvendosje, Vjosa Osmanin për rezultatet e zgjedhjeve. Ne bëjmë thirrje për një formim të shpejtë të qeverisë dhe zgjedhjen e presidentit, sapo rezultatet të finalizohen”, ka shkruar ambasadori Rohde në Twitter.

Ambasadori Rohde ka thënë se Gjermania dhe Franca presin të mbështesin një agjendë ambicioze të reformave, ku ka përmendur sundimin e ligjit, korrupsionin dhe krimin e organizuar. Ai ka theksuar se së bashku me Zyrën e BE-së në Kosovë do të vazhdojnë të mbështesin menaxhimin e COVID-19.

Në postimin e tij në Twitter, Rohde ka potencuar edhe gatishmërinë e Gjermanisë dhe Francës për të mbështetur dialogun e ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë.

“Gjermania dhe Franca qëndrojnë të gatshëm për të mbështetur vazhdimin e dialogut të ndërmjetësuar nga BE mes Kosovës dhe Serbisë drejt integrimit evropian të të dy vendeve”, ka përfunduar Rohde.

Ditë më parë, Jorn Rohde ishte pritur në zyret e Lëvizjes Vetëvendosje nga Albin Kurti. Ambasadori Rohde e kishte uruar Kurtin për fitoren dhe kishin biseduar në lidhje me sfidat aktuale të Kosovës dhe bashkëpunimin e mëtutjeshëm mes Kosovës dhe Gjermanisë.

Kujtojmë se në bazë të rezultateve preeliminare nga votat e rregullta, Lëvizja Vetëvendosje ka dalur fituese në zgjedhjet e 14 shkurtit.