
Gjeravica, Foto: Komuna Junik, Facebook
Gjeravica në mesin e 10 vendeve më të mira për skijim sipas revistës Traveller
Gjeravica, maja e dytë malore më e larta në Kosovë, është renditur në mesin e dhjetë vendeve më të mira për skijim sipas revistës angleze për udhëtime, Condé Nast Traveller.
Gjeravica është renditur e shtata në listën e cila përbehet nga 18 majat malore të Evropës, të cilësuara si më të mirat për të skijuar.
Traveller e përshkruan majën e Gjervicës si majë malore e egër.
Sipas kësaj reviste, pak destinacione evropiane të skive janë aq intriguese sa Bjeshkët e Nemuna, siç quhen vargmalet e Gjeravicës të cilat ndodhën në kufirin Shqipëri-Kosovë.
Sipas përshkrimit, shpatet e sipërme të vargmaleve të Gjeravicës janë bërë të çashme për njerëzit për herë të parë në shekullin e 21-të.
Gjeravica, sipas kësaj reviste është shtëpia e disa prej kafshëve të egra që jetojnë në Kosovë.
“Birra kosovare dhe darkat sezonale pa menu mirëpresin në shtëpi skiatorët e lodhur, të freskët nga eksplorimi i një parajse të egër jashtë pistës, që është ende shtëpia e ujqërve, arinjve dhe rrëqebullit”- theksohet në përshkrim.
Në këtë listë, Gjeravica renditet para disa prej majave malore në Itali, Francë, Zvicër e Spanjë.
E para në listën e vendeve më të mira për skijim është gjendet maja St Moritz, në Zvicër e cila përshkruhet si ‘klasike’.
Përveç majës St Moritz, Zvicra e dominon këtë listë me gjithsej gjashtë maja të cilësuara si vendet më të mira për sportin e skijimit.
Shtetet tjera të cilat janë vlerësuar që kanë majat malore më të mira për skijim në Evropë janë Franca, Italia, Austria, Spanja e Norvegjia.
Përndryshe, Gjeravica është mali i dytë më i lartë në Kosovë me një lartësi prej 2,656 metra mbi nivelin e detit.
Gjeravica gjendet në pjesën perëndimore të Kosovës, në komunën e Junikut.