Foto-ilustrim

Gjeodeti i Komunës së Rahovecit pranon akuzën për falsifikim të dokumentit zyrtar

Prokuroria e Gjakovës kishte ngritur aktakuzë për falsifikim të dokumentit zyrtar ndaj Muharrem Metbalës, i cili sot ka pranuar fajësinë në Gjykatën e Gjakovës.

Gjykatësi Drilon Haraçia ka treguar se i njëjti ka pranuar fajësinë dhe ka shprehur pendesë.

Ndërkaq, data 19 shkurt është caktuar për shpalljen e aktgjykimit.

Në aktakuzë thuhet se në qershor të vitit 2019 në cilësinë e personit zyrtar si gjeodet në Drejtorinë për Kadastër dhe Gjeodezi në Komunën e Rahovecit dyshohet se ka përpiluar shkresën zyrtare dhe me nënshkrim të rremë e ka vërtetuar dokumentin zyrtar.

Në aktakuzë thuhet se Muharrem Metbala ishte caktuar ai gjeodet nga Gjykata e Gjakovës – dega në Rahovec bashkë me ekspertin Ali Kryeziu, lidhur me një çështje kontestimore në ekspertizën mbi ndarjen e parcelës në fshatin Bratotin në Rahovec, shënon emrin e ekspertit Ali Kryeziu, se kinse ka qenë prezent me rastin e daljes në terren për matjet e parcelës.

Aktakuza thotë se edhe me rastin e përpilimit të ekspertizës ai shënon emrin dhe nënshkrimin e tij, të cilën ekspertizë e dorëzon si provë materiale në Gjykatë, ku eksperti Ali Kryeziu, gjatë asaj kohe kishte qenë në pushim vjetor, ndërsa në vend të tij si ndihmës-gjeometër kishte marrë djalin e tij.

Muharrem Metbala në deklaratën e tij në Prokurori ka thënë që si gjeodet punon që 42 vite dhe se me rastin e daljes në terren eksperti Ali Kryeziu, e ka njoftuar 3 ditë para dhe se i njëjti gjendet në pushim vjetor. Për këtë arsye Muharrem Metbala kishte thënë që nuk kishte arritur ta njoftonte Gjykatën dhe me rastin e daljes në terren kishte dalë djali i ekspertit.

KALLXO.com ka raportuar edhe nga seanca e kaluar.