Gjenerali serb i Bosnjes Radislav Krstiq në gjykatë në Hagë, tetor 2000. Foto: EPA/REUTERS/POOL/Fred Ernst/Balkan Insight

Gjeneralit serb të Bosnjës i mohohet lirimi i parakohshëm

Gjykata e OKB-së refuzoi një kërkesë për lirim të parakohshëm nga ish-gjenerali serb i Bosnjës, Radislav Krstiq, i cili po vuan dënimin me 35 vjet burg për asistim në gjenocidin ndaj boshnjakëve nga Srebrenica.

Mekanizmi për Gjykatat Penale Ndërkombëtare në Hagë ka hedhur poshtë përsëri një kërkesë për lirim të parakohshëm të paraqitur nga Radislav Krstiq, gjenerali i kohës së luftës i Korpusit të Drinës të Ushtrisë Serbe të Bosnjës, i cili u dënua në 2004 për asistim dhe kryerje gjenocidi.

Në shkurt të këtij viti, Krstiq kërkoi të lirohej në fillim në bazë të ligjit në Poloni, ku po vuan dënimin e tij.

Sipas ligjit polak, një person që vuan një dënim me 25 vjet burg, i cili është dënimi maksimal që Krstiq mund të vuajë në atë vend sipas vendimit të një gjykate polake, ai ka të drejtë të paraqesë një kërkesë për lirim të parakohshëm me kusht pasi të kenë kaluar 15 vjet burg.

Në përputhje me këto rregullore, Krstiq fitoi të drejtën të paraqiste një kërkesë për lirim të parakohshëm në dhjetor 2013.

Kërkesa e tij e parë për lirim u refuzua në dhjetor 2016.

Presidenti i Mekanizmit për Gjykatat Penale Ndërkombëtare, Carmel Agius, tha të mërkurën se ai e refuzoi kërkesën e dytë të Krstiq sepse nuk plotësonte kushtet për shqyrtim.

“Nuk ka indikacione se ekzistojnë rrethana bindëse ose të jashtëzakonshme që do të justifikonin lirimin e Krstiq para se ai të ketë kryer numrin minimal të viteve të nevojshme për ta konsideruar atë të përshtatshëm për një lirim të parakohshëm,” tha Agius në një deklaratë.

“Në mungesë të ndonjë të dhëne të re mbi gjendjen aktuale shëndetësore të Krstiq, nuk ka asnjë indikacion për ndonjë rrethanë bindëse ose të jashtëzakonshme që do të kërkonte lirimin e tij të parakohshëm para se të kryejë dy të tretat e dënimit të tij,” shtoi ai.

Krstiq do të ketë vuajtur dy të tretat e dënimit të tij deri në fund të marsit 2022.

Ai u dënua me 35 vjet burg për asistim dhe përkrahje të kryerjes së gjenocidit të më shumë se 7,000 boshnjakëve nga Srebrenica në korrik 1995.

Sipas vendimit, i pari për gjenocid në luftën e Bosnjës, Krstiq ishte në dijeni të vrasjeve të boshnjakëve dhe lejoi shtabin kryesor të Ushtrisë Serbe të Bosnjës të përdorte personel dhe pajisje nën komandën e tij për të asistuar në masakra.

Ai fillimisht u dërgua në Britani për të vuajtur dënimin e tij, por u sulmua nga të burgosurit brenda burgut, pas së cilës ai u transferua përsëri në Hagë dhe më pas u dërgua në Poloni për të vuajtur pjesën tjetër të dënimit të tij.

Sulmuesit e tij, të cilët po vuanin të gjithë dënime për vrasje, u dënuan nga një gjykatë britanike në shkurt 2011 dhe morën dënime shtesë me burgim të përjetshëm.

Në vitin 2013, Gjykata e Hagës e liroi nga akuzat Krstiqin për shpërfillje të akuzave gjyqësore që u ngritën pasi ai kishte refuzuar të dëshmonte në gjyqin e ish-liderit politik serb të Bosnjës, Radovan Karaxhiq.