Wsley Clarc | Foto: Wikimedia Commons

Gjenerali Wesley Clark vjen të mërkurën në Kosovë

Ish-komandanti i NATO-s gjatë bombardimeve kundër caqeve serbe më 1999, gjenerali i pensionuar, Wesley Clark, do të vizitojë Kosovën më shtatë korrik.

Këtë e ka bërë të ditur ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

“Në këtë ditë të veçantë, kur po festojmë 4 Korrikun- Ditën e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kam kënaqësinë të ju njoftoj se me ftesën time zyrtare, më datën 7 Korrik, në Ministrinë e Mbrojtjes, do të vijë në vizitë gjenerali historik amerikan, heroi ynë Wesley Clark. Gjeneral Clark do të pritet me nivelin më të lartë ceremonial ushtarak dhe atë të protokollit shtetëror dhe do të pritet nga të gjithë liderët tanë më të lartë shtetëror”, ka thënë ai.

Mehaj ka theksuar se qytetarët e Kosovës janë të bekuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe gjeneralin Clark.

“Mirë se vjen në shtëpinë tuaj pranë njerëzve që të duan aq shumë, gjeneral Clark! Mirë se vjen në Kosovën dhe qytetarët e saj të bekuar me ty dhe SHBA-në! Zoti e bekoftë përjetësisht miqësinë e Kosovës me SHBA-në!”, thuhet në njoftimin e Ministrit të Mbrojtjes.