Gjenerali Clark pritet nga ministri Maqedonci, informohet për përparimin e FSK-së

Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka pritur sot, më 14.11.2024, në takim gjeneralin amerikan, Wesley Clark,  ish-komandantin suprem të NATO-s për Europë.

Sipas një njoftimi për media, Maqedonci i shprehu gjeneralit Clark mirënjohjen e popullit të Kosovës për udhëheqjen e fushatës ajrore të NATO-s, kundër forcave ushtarake të regjimit pushtues serb në vitin 1999.

“Ministri e informoi Gjeneralin Clark në mënyrë të detajuar mbi përparimin e ndjeshëm të Forcës së Sigurisë së Kosovës, në realizimin e objektivave të dakorduara në kuadër të Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit” – thuhet në njoftim.

Ministri njoftohet të ketë thënë se “niveli i lartë i profesionalizmit që FSK dëshmon sot, para së gjithash, është rezultat i marrëdhënieve dhe bashkëpunimit të ngushtë në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë ndërmjet vendeve, për çka kontributi i Gjeneralit Clark ka qenë dhe mbetet tejet i rëndësishëm”.

Maqedonci ka theksuar se takime si ky i japin emocion dhe janë rikujtues të kohërave të vështira të angazhimit të përbashkët për liri.

“Kur po luftonim me bashkëluftëtarë kundër së keqes që i kanosej vendit tonë, ndihma nga ajri përmes NATO-s ishte vendimtare për përmbylljen e luftës. Wesley Clark, po komandonte forcat e NATO-s në ndërhyrjen humanitare që do të ndryshonte përgjithmonë të ardhmen e vendit tonë” – u shpreh ministri Maqedonci.

Ish-komandanti i lartë i NATO-s, gjenerali Wesley Clark, ishte ai që drejtoi fushatën e bombardimeve të NATO-s kundër forcave serbe në vitin 1999.