Gjenerali Bashkim Jashari pritet me nderime të larta nga komandanti i Forcave të Armatosura dhe nga ministri i Mbrojtjes të Turqisë

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Bashkim Jashari, me ftesë të homologut turk, gjeneral Jashar Guler, komandant i Forcave të Armatosura të Turqisë, është duke realizuar vizitë zyrtare në Turqi.

Gjatë qëndrimit në Turqi, komandanti i FSK-së nën shoqërimin e gjeneralit Guler u prit në takim zyrtar nga ministri i Mbrojtjes së Turqisë,  Hulusi Akar. 

Në komunikatën e Ministrisë se Mbrojtjes bëhet e ditur se në takim me ministrin Akar, komandanti i FSK-së diskutoi një sërë çështjesh duke filluar nga zhvillimet e sigurisë në Evropë, ato në rajon dhe sfidat në sektorin e sigurisë dhe mbrojtjes. Temë e veçantë diskutimi ishte mbështetja e Turqisë për Kosovën për pjesëmarrje në programin e Partneritetit për Paqe dhe drejt anëtarësimit në NATO. 

Veç tjerash me ministrin e Mbrojtjes, komandanti i FSK-së diskutoi bashkëpunimin dhe mbështetjen e ngushtë nga shteti dhe Ministria e Mbrojtjes së Turqisë drejt modernizimit të sistemeve dhe pajisjeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Tutje, në komunikatë potencohet se gjenerallejtënant Bashkim Jashari u prit me nderime të larta edhe në Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Turqisë prirë nga gjenerali Guler. Në takim në Shtabin e Përgjithshëm u diskutua pjesëmarrja e FSK në ushtrimin fushor ndërkombëtar në Turqi EFES-2022 që ka përfunduar disa ditë me herët me një performancë të shkëlqyer të pjesëtarëve të FSK-së.

Po ashtu, Jashari vizitoi edhe Shtabin e Forcës Tokësore dhe Komandën e Forcave Speciale ku nga afër u njoftua me zhvillimet dhe kapacitetet e këtyre njësive dhe me komandantët e komandave të cilët u dakorduan që të rritet numri i pjesëtarëve pjesëmarrës të FSK-së në trajnime dhe shkollime profesionale që ofrohen nga komandat në fjalë.

Vizitën zyrtare gjeneral Jashari e ka vazhduar në qytetin e Stambollit, ku është pritur me ceremoni nga kryetari i Komunës së Bajrampashës, ku ka vizituar parkun “Adem Jashari” në këtë komunë.