Gjenerali Mark Milley - Foto: REL/Reuters

Gjenerali amerikan thotë se ka gabuar që ka shoqëruar Trumpin në kishë

Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, tha se ka gabuar që ka shoqëruar presidentin amerikan, Donald Trump, gjatë shëtitjes së tij të diskutueshme në një kishë afër Shtëpisë së Bardhë.

Milley tha se prania e tij në uniformë, në kohën e protestave kundër padrejtësive racore, “ka krijuar perceptimin se ushtria është e përfshirë në politikën e brendshme”.

Më 1 qershor, Trump ka shkuar në një kishë dhe ka mbajtur në duar një bibël, pak pasi autoritetet kanë shpërndarë disa protesta paqësore aty pranë, për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd gjatë ndalimit nga policia.

Incidenti i 25 majit në Mineapolis është filmuar nga kalimatarët dhe është shpërndarë në mediat sociale.

Në incizime shihet se si një polic i bardhë e shtyp me gju Floydin, për gati nëntë minuta.

Floyd është ndaluar nën dyshimet se ka krijuar një faturë të rreme në vlerë prej 20 dollarësh.

Vdekja e tij ka shkaktuar protesta në gjithë Shtetet e Bashkuara, disa prej të cilave janë shndërruar edhe në dhunë.

Gjenerali Milley ka pasur të veshur uniformë beteje gjatë shëtitjes me presidentin në kishë.

Disa kritikë kanë thënë se një gjë e tillë ka sugjeruar se Milley mbështet paralajmërimet e Trumpit për pozicionimin e ushtrisë kundër protestuesve.

“Prania ime në atë moment dhe në atë mjedis krijoi një perceptim se ushtria është e përfshirë në politikën e brendshme. Ishte një gabim nga i cili kam mësuar dhe sinqerisht shpresoj se të gjithë mund të mësojmë prej tij”, tha Milley./REL