Ilustrim - Ushtria- FSK

Gjeneral Rrahman Rama: Pjesëtarët e FSK-së do të shkojnë në mision paqeruajtës në Kuvajt

Pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës pritet që në mars të shërbejnë në mision paqeruajtes në Kuvajtit në kuadër të Gardës Kombëtare të shtetit amerikan Ajova (Iowa).

Komandanti i FSK-së, gjenerallejtënant Rrahman Rama ka thënë për KALLXO.com se një numër simbolik i ushtarëve të Kosovës do të jenë pjesë e këtij misioni.

Tutje, Rama ka shtuar se ende nuk dihet data e saktë se kur do të udhëtojnë për në Kuvajt pjestarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës, pasi janë ende në procedura administrative.

“Përzgjedhja ka përfunduar, ajo është bazuar mbi përformancën e pjesëtarëve dhe kërkesës së partnerëve tanë, pasi një pjesë e tyre edhe kanë qenë në trajnime të përbashkëta. Nuk e di saktë, në mars, pasi që jemi në procedura administrative. Pjesëtarët e FSK-së do të jenë në kuadër të Ushtrisë Amerikane, në kuadër të shtetit të Ajova (Iowa). Varet nga çështjet administrative dhe të gjitha elementet e tjera, se në cilën datë saktë do të udhëtojnë pjestarët e FSK-së”,  ka thënë Rama për KALLXO.com.

Me 92 vota  pro, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi i Kosovës më 5 janar të këtij viti ka miratuar vendimin e Qeverisë së Kosovës që FSK-ja të dërgohet në misione paqeruajtëse jashtë vendit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se Forca e Sigurisë së Kosovës, misionin e parë paqeruajtës ndërkombëtar do ta ketë në kuadër të Gardës Kombëtare të shtetit amerikan Ajova (Iowa).