“Gjendja shqetësuese në shëndetësi”, Vitia flet për investimet për përmirësimin e gjetjeve të Raportit të Progresit
Vlerësimi i Komisionit Europian i dhënë përmes Raportit të Progresit se shëndetësia kosovare është në gjendje shqetësuese, sipas ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, lidhet me kushtet, infrastrukturën dhe trajnimet joaodekuate.
Këtë bindje ai e ka shprehur kur është pyetur nga KALLXO.com se cfarë veprimesh do të ndërmarrin për t’i zgjidhur problemet e përmendura në Raport, sic janë: vdekshmëria e lartë e foshnjave, blerjet joadekuate nga institucionet dhe shitja e barnave pa recetë.
“Raporti i Progresit i ka konstatuar disa nga ato që thatë ju dhe natyrisht lidhen me ato që i përmenda më herët: kushtet, infrastrukturën dhe trajnimet joadekuate. Prandaj, kur e përmendët vdekshmërinë e fëmijëve, kam kënaqësinë që ta konfirmoj sërish se deri në fund të këtij viti do të fillojë edhe skriningu neonatal, një komponentë jashtëzakonisht e rëndësishme për detektimin e hershëm të sëmundshmërisë te foshnjat” – tha Vitia.
Ndonëse, përgjigja e tij u koncentrua më tëpër te problemi i vdekshmërisë së foshnjave, ai megjithatë tha se investimet që po bëjnë do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e gjetjeve.
“Krejt këto investime që po i bëjmë tash e nuk janë bërë për dekada, jam shumë i sigurtë se do të ndikojnë dukshëm në përmirësimin e gjetjeve në Raportin e Progresit” – tha ai.
Vitia përmendi se në kujdesin parësor shëndetësor po realizojnë vizitat në shtëpi për nënat dhe fëmijët. Për më pak se dy vjet, siç tha ai, janë realizuar 130 mijë sosh.
Ministri kujtoi edhe furnizimin me vaksinat kundër Rotavirusit, Human Papilloma Virusit dhe Pneumokokut.
“Intervenimet tona janë të shumanshme: parandalim me vaksinim, kujdes i veçantë me detektim me skriningun neonatal, kujdes i vazhdueshëm me vizitat në shtëpi dhe investime për trajtime në Gjinekologji” – theksoi Vitia.
Raporti i fundit i Progresit ka vlerësuar se cilësia e kujdesit shëndetësor në Kosovë vazhdon të mbetet një shqetësim.
Pabarazitë, jetëgjatësia dhe vdekshmëria e foshnjave, shpenzimet e larta të qytetarëve, zbatimi jo i plotë i Ligjit për kontrollin e duhanit, blerjet jostrategjike, mospërputhja e disa ligjeve me acquis të BE-së, shitja e barnave pa recetë, janë disa prej problemeve në shëndetësinë publike në Kosovë, që Komisioni Europian i ka konstatuar në këtë raport.
Raporti i Progresit është instrument me anë të të cilit Komisioni Europian e mat progresin e një vendi në përmbushjen e agjendës europiane brenda vitit kalendarik.